Mbretëria e Bashkuar partner i domosdoshëm i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Martin Vickers, deputet i Parlamentit Britanik, i Dërguar për Tregti për Ballkanin Perëndimor, emëruar nga kryeministri Boris Johnson, njëherit edhe kryesues i Grupit parlamentar gjithëpërfshirës për Kosovën në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partner i domosdoshëm i Kosovës, kryeministri falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Zgjedhjet demokratike të para një viti, sollën legjitimitet e stabilitet institucional tha kryeministri Kurti. Kjo ndihmon shumë dhe po rezulton në rritje të bashkëpunimit ekonomik, tregti dhe investime, shtoi ai.

Vickers, vlerësoi veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit.

“Edhe pse nuk jemi më pjesë e Bashkimit Evropian,  të jeni të sigurt se ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër dhe të ndihmojmë, theksoi Vickers.

Me të dërguarin e kryeministrit britanik për tregtinë për Ballkanin Perëndimor, deputetin Martin Vickers është takuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani ka vlerësuar ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke shfaqur shpresë për intensifikimin e saj.
Më tej, Presidentja i ka bërë të ditur deputetit Vickers se  institucionet kosovare kanë bërë përparim në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj.
Mënegjesin e sotëm, Vickers u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfucën./21Media 
 

Back to top button