Do të mbyllen disa rrugë për qarkullim, shkak vizita e Gjukanoviqit

Policia e Kosovës ka njoftuar se nesër dhe pasnesër do të mbyllen disa rrugë për qarkullim përkohësisht, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare të Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Policia përmes një komunikate ka bërë të ditur se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit dy ditor të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare. Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të presidentes, Vjosa Osmani./21Media

Back to top button