Dogana e Kosovës shënoi 25 vjetorin, gjatë kësaj periudhe mlodhi 20 miliardë euro të hyra

Dogana e Kosovës përmbylli sot ceremoninë solemne të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të saj.

“Kjo ngjarje shënoi një moment historik për Doganën, duke reflektuar mbi arritjet e saj gjatë këtyre 25 viteve në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Dogana e Kosovës ka qenë një shtyllë e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Ky 25-vjetor është një dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj me profesionalizëm dhe integritet të lartë.”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

Sipas njoftimit deri më tani Dogana ka mbledhur më shumë se 20 miliard euro të hyra për shtetin e Kosovës

“ndërsa veprimet për mbrojtjen e shoqërisë nga parandalimi dhe zbulimi i mallrave të ndaluara dhe atyre të rrezikshme ka qenë po ashtu me rëndësi jetike.Ngjashëm edhe ndjekja dhe penalizimi i krimit të organizuar ka ndikuar dukshëm në krijimin dhe mirëmbajtjen e një ambienti të sigurtë në Kosovë dhe më gjerë.”, vijon njoftimi.

Në ceremoni të pranishëm ishin  ministrat Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Nenad Rasic, Ambasadori i Britanisë së madhe Jonathan Hargreaves, përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe zyrës së BE-së.

Në një fjalë rasti Drejtori i Doganës së Kosovës,  Agron Llugaliu shprehu krenarinë e tij për arritjet e institucionit duke nënvizuar:

“Ky përvjetor është një dëshmi e përkushtimit dhe qëndresës së të gjithë atyre që kanë shërbyer në Doganën e Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Pavarësisht sfidave që kemi përballuar, ne kemi dalë më të fortë, më efikas dhe më të përkushtuar për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Suksesi ynë ndahet me çdo qytetar të Kosovës, sepse për ta kemi punuar pa ndalur për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të siguruar mirëqenien e shoqërisë sonë.”

Më tej, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në letrën e tij dërguar me rastin e 25 vjetorit të Doganës së Kosovës, theksoi rëndësinë e këtij institucioni si një komponent kyç për zhvillimin e vendit, duke e quajtur Doganën katalizator të krijimit dhe forcimit të shtetit tonë.

“Kryeministri vlerësoi përkushtimin në luftën kundër korrupsionit, thjeshtëzimin e procedurave doganore dhe angazhimin e palodhur të punonjësve të Doganës, të cilat kanë bërë të mundur arritjen e një rekordi historik në mbledhjen e të hyrave për shtatë mujorin e parë të këtij viti. Ai përmendi gjithashtu përpjekjet për vendosjen e ligjit në veri të Kosovës dhe rëndësinë e përkujdesjes për të ardhmen e Doganës, duke përfunduar me zotimin e tij për të vijuar me përkrahjen e parezervë ndaj Doganës së Kosovës.”

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, në fjalën e tij, u shpreh se qeveria njeh sfidat përmes të cilave ka kaluar Dogana e Kosovës dhe se kanë punuar fort për ta mbështetur atë në misionin e saj.

“Ministri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm dhe stafin e Doganës për arritjet e jashtëzakonshme, duke theksuar rëndësinë që qeveria i jep lehtësirave tregtare, veçanërisht për prodhuesit vendorë. Ministri gjithashtu falenderoj stafin e Doganës së Kosovës për angazhimet e rëndësishme në vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës, si dhe shprehu gjithashtu përkushtimin për të mbështetur Doganën në objektivat e saj për përparim dhe zhvillim të mëtejshëm.”, thuhet në komunikatë

Gjatë ceremonisë u transmetua një prezantim i veçantë që përmbledhte momentet kyçe të historisë së Doganës së Kosovës, sfidat e kaluara dhe sukseset e arritura, i cili nxori në pah transformimin dhe përparimin e institucionit ndër vite./21Media

Back to top button