Dogana konfirmon arrestimin e dy zyrtarëve të saj
Janë arrestuar dy oficerë doganorë nga Inspektoriati Policor i Kosovës, ka njoftuar Dogana e Kosovës nëpërmjet një komunikate.
Sipas njoftimit, të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën “mitmarrje” dhe “shpërdorim i detyrës apo autoritet zyrtar”.
“Dogana e Kosovës është mirënjohëse ndaj punës së Inspektoratit Policor në hetimin e këtij rasti dhe do të vijoj me bashkëpunim të rregulltë me Inspektoratin, Policinë dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit. Dogana e Kosovës zbaton politika rigoroze që dekurajojnë me efikasitet praktikat e korrupsionit dhe sjelljes jo profesionale si dhe do të ndërmarrë me prioritet veprime që synojnë luftimin e korrupsionit dhe praktika të dëmshme e sjellje jo profesionale. Mbi këtë konsideratë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarëve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren. IPK ka raportuar se pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra policë dhe disa doganierë./21Media