Pritet të arrestohen dhjetëra policë dhe disa doganierë në aksionin e sotëm

Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren. IPK ka raportuar se pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra policë dhe disa doganierë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
“Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë”, thuhet në njoftim.
IPK ka njoftuar tutje se detaje të tjera shtesë lidhur me rrjedhën e këtij operacioni do të bëhen të ditura sot në orët e pasditës./21Media

Back to top button