Dogana sekuestroi 42 mijë litra pije alkoolike

Gjatë një kontrolli rutinor në një dyqan në Hoçë të Madhe të Rahovecit, Dogana e Kosovës ka sekuestruar 42 mijë litra pije alkoolike.
Dogana ka bërë të ditur se pronari i dyqanit operon edhe veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim të Doganës e po ashtu nuk e ka fare biznesin të regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

“Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit”, thuhet nga Dogana.
Dogana ka bërë të ditur se në të njëjtin fshat operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta e që kanë pronar qytetarë serbë të Kosovës.

“Ata paguajnë të gjitha detyrimet ligjore. Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurrencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme”, thuhet ndër tjera në njoftimin e Doganës./21Media 

Back to top button