Doktori që po jetëson amanetin e babait: Nuk keni mundësi të paguani, më ndaloni

“Nëse keni nevojë për mjek dhe nuk keni mundësi të paguani, atëherë me ndaloni”, është mesazhi që doktori Armend Rexhepi e ka vendosur në xhamin prapa të veturës së tij qysh para 6 muajsh.
E këtë ai po e bën për t’i ndihmuar personat në nevojë të cilët nuk kanë mundësi që të paguajnë shërbime të caktuara mjekësore. Por, kjo nuk është hera e parë që Rexhepi bën punë vullnetare në lëminë e tij.
Ai për portalin rtv21.tv tregon se qysh me diplomim në vitin 2017, ka punuar tetë muaj pa pagesë në QKMF të Vitisë në mënyrë vullnetare. E krejt këtë po e bën për ta jetësuar amanetin që i la babai i tij.
“Gjatë kësaj kohe babi im u diagnostikua me sëmundje të Kancerit, dhe një ndër porositë nga ai ka qenë që t’iu ndihmoj njerëzve në nevojë, andaj më është përshtatur me profesionin dhe vazhdoj të kontribuoj aq sa di dhe mundem.”, thotë Armend Rexhepi, i cili aktualisht është në vitin e dytë të specializimit për sëmundjet Infektive.
Nga personat që nuk kanë mundësi t’i blejnë barërat më të lira e deri te persona që vuajnë nga sëmundjet më të rënda kanë trokitur në derën e këtij mjeku.
“Kërkesa ka në vazhdimësi nga me të ndryshmet, aty ku ka punë për profile tjera shëndetësore i udhëzoj për tek specialisti adekuat. Ku mund te iu ndihmoj, e kryej! Ka shumë raste që mbesin në kujtim, nga ato me sëmundje të rënda të pa shërueshme deri tek rastet qe nuk kanë mundësi të blejnë as barërat me të lira”, tregon Rexhepi.
Armend Rexhepi aktualisht është i punësuar me kontratë të specializimit./21Media

Back to top button