Domatet nga Shqipëria rezultojnë të parrezikshme

Mostrat e domateve me origjinë nga Shqipëria kanë dalë brenda limiteve sipas rregullores së Bashkimit Evropian, që do të thotë se nuk paraqesin rrezik për shëndetin.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte dërguar mostrat në një laborator të kontraktuar, e i cili testet i ka realizuar në laborator të akredituar në Bullgari.
“Të gjitha mostrat kanë rezultuar brenda limiteve sipas rregullores se BE-së Nr.369/2005 r . D.m.th prezenca e kontaminuesve kimik është brenda normave ose limiteve të cilat janë të lejuara për konsum dhe nuk paraqesin rrezik”, ka njoftuar AUV-i.
AUV-i ka thënë se mostrat janë testuar në të gjitha llojet e pesticideve dhe se në të gjitha testimet që janë kryer nuk ka rezultuar se domatet kanë pasur prezencë të pesticideve mbi normat e lejuara.
Domatet e importuara nga Shqipëria dyshoheshin se përmbanin sasi të larta të hormoneve të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. AUV-i pati dërguar menjëherë mostrat.