Sindikata e RTK-së: Ahmetxhekaj dështoi në të gjitha fushat, dorëheqja, puna e vetme e mirë e tij

(Lajm i përditësuar)


Sindikata e RTK-së: Ahmetxhekaj dështoi në të gjitha fushat, dorëheqja, puna e vetme e mirë e tij

Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka mirëpritur dorëheqjen e Shkumbin Ahmetxhekaj nga pozita e drejtorit gjeneral të mediumit publik.

Sindikata thotë se “përgjatë këtyre dy vite e gjysmë mandat, z.Ahmetxhekaj ka dështuar pothuajse në të gjitha fushat”.

Sindikata thotë se Ahmetxhekaj “puna e vetme e mirë e tij përgjatë këtyre dy viteve është dorëheqja”.

“Ka dështuar të krijojë raporte korrekte me Sindikatën, duke e degraduar për pesë shkallë dhe  nxjerrë prej zyres kryetarin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, veprim për të cilin ishte gjobitur në vlerën prej 3 mijë euro nga Inspektorati i Punës. Ka dështuar të realizojë reformën organizative aq shumë të nevojshme në Transmetuesin Publik. Ka dështuar ta rregulloj cështjen e pronës dhe financimit të pavarur për RTK. Ajo cka është më e rëndësishmja, ka dështuar të krijoj ambient motivues e bashkëpunues brenda RTK-së”, thuhet në reagim.

 


Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Ahmetxhekaj ka thënë se vendimi i tij nuk nënkupton dorëzim, por është “kulmim i një presioni politik 7-mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.

Duke përmendur disa nga punët që janë kryer gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të kësaj detyre, Ahmetxhekaj ka thënë se ka shprehur vullnetin që ta ushtrojë detyrën deri në finalizimin e procesit të disa punëve, por Bordi e ka injoruar kërkesën e tij.

“Në gjykimin tim, një Drejtor i Përgjithshëm do të duhej të kishte mbështetje të plotë në krijimin e ekipit të tij dhe të mbrohet nga interferimi politik në çfarëdo forme dhe kurdo që mund të shfaqet. Uroj që pasardhësi im të jetë më fatlum në këtë drejtim. Të gjithë kolegëve, faleminderit për besimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj kohe. Uroj që RTK-ja të zhvillohet dhe transformohet ashtu siç e pret publiku. ‘Unë kisha një ëndërr’”, ka shtuar ai.


Shkumbin Ahmetxhekaj dha dorëheqje, Zana Spahiu emërohet U.D. e drejtoreshës së përgjithme të RTK-së

Zana Spahiu është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorieshës së përgjithshme të Radio Televizionit të Kosovës.

Pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhekajt nga kjo pozitë, bordi drejtues i RTK-së në një mbledhje të sotme vendosi që Zana Spahiu ta ushtrojë këtë detyrë.

Spahiu është e diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2010 ajo punon në RTK si juriste, ndërsa në vitin 2022 u zgjodh udhëheqëse e zyrës ligjore të mediumit publik, duke arritur deri tash mbi 14 vjet përvojë pune në fushën ligjore.

“Ky vendim i bordit ka ardhur pasi që me datën 23.05.2024 z. Shkumbin Ahmexhekaj ka paraqitur dorëheqjen e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kërkesës dhe përcaktimit nga ana e tij, dorëheqja do të jetë efektive nga data 08.07.2024, gjë për të cilën ka marrë edhe dakordimin e Bordit të RTK-së në mënyrë që të kryhen punët që kanë qenë në proces, përfshirë edhe pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së”, thuhet në komunikatën e bordit të televizionit publik.

Bordi i RTK-së e kishte emëruar Ahmetxhakajn fillimisht ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm më 19 janar 2022, e më pas ai ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i RTK-së në qershor të atij viti.

“Bordi i RTK-së falënderon z. Ahmetxhekaj për bashkëpunimin e deritanishëm. Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK”, thuhet në komunikatë.

Bordi i RTK-së thotë se “do të vazhdojë të punojë në vazhdimësi për ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizimit të RTK-së”.

“Bordi i RTK-së do të vazhdojë përkushtimin për progresin në RTK dhe do të angazhohet në kryerjen e reformës në RTK”, thuhet në komunikatë.

Back to top button