Dorëzohet drafti përfundimtar për themelimin e Fondit Sovran
Kryetari i grupit punues për themelimin e Fondit Sovran, Besnik Pula, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.
Ai përmes një njoftimi në ‘Facebook’, ka bërë të ditur se ky dokument përben bazën konceptuale dhe strategjike për themelimin e Fondit Sovran, përfshirë konceptin dhe hapat për vendosjen e bazës ligjore dhe institucionale të Fondit.
”Ai është produkt i një pune të gjerë dhe sistematike të Grupit Punues me përbërje nga Arta Hoxha, Edison Jakurti, Emanuel Bajra dhe Tea Blakaj Hoxha dhe të koordinuar nga unë. Me këtë rast dua të falemnderoj të gjithë anëtarët e Grupit Punues, të cilët pa kursim dhanë një kontribut të veçantë profesional në ndërtimin dhe elaborimin e konceptit dhe në hartimin e dokumentit në fjalë. Dokumenti është në kuptimin e plotë të fjalës rezultat i një pune të përbashkët. Duhet theksuar se ky është vetëm hapi i parë në rrugën drejt themelimit të Fondit Sovran. Qeverinë e presin punë të shumta dhe të mëdha. Besoj se fjas në emër të të gjithë anëtarëve të Grupit Punues që mbesim të gatshëm dhe të përkushtuar që ta mbështesim këtë proces deri në fund”, ka shkruar Pula.
Ndërkaq, Koncept Dokumentit në fjalë nuk është në autoritetin e Grupit Punues. Ai do të bëhet publik pas shqyrtimit dhe miratimit nga Komiteti Ekzekutiv i Qeverisë së Kosovës./21Media