Dorëzohet peticioni për shkarkimin e Erden Atiqit, ja sa qytetarë nënshkruan

Grupi inicues i qytetarëve për shkarkimin e kryetarit në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka dorëzuar të hënën peticionin te kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune, ndërsa janë 508 nënshkrime më shumë të mbledhura sesa minimumi i duhur.

Këtë e ka bërë të ditur Nexhat Uglanin, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore.

Sipas tij, numri i qytetarëve të cilët kanë nënshkruar peticionin rreth shkarkimit të kryetarit të kësaj komune është 4 mijë e 148 nga 3 mijë e 640 sa ishte e nevojshme.

“Po, kam pranuar dje pasdite peticionin me nënshkrime nga grupi iniciues. Janë 508 nënshkrime më shumë sesa ka qenë e nevojshme. Tani afati ligjor për ta dorëzuar peticionin në KQZ është tre ditë dhe unë do ta bëjë këtë të enjten, ndërsa ata e bëjnë vlerësimin”, ka thënë Uglanin.

Nëse KQZ-ja konfirmon se peticioni ka qenë i suksesshëm, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Më pas, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Back to top button