Doza e tretë e vaksinës në Maqedoninë e Veriut
Nga e hëna qytetarët mund të marrin dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19 në Maqedoninë e Veriut. Booster doza rekomandohet nga Komiteti Kombëtar për Imunizimin për të gjithë qytetarët mbi 60 vjeç, për të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe për të gjithë qytetarët që kanë probleme shëndetësore pavarësisht moshës. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili njoftoi edhe se doza e tretë merret pas gjashtë muajve dhe e njëjta duhet të jetë Pfizer, pa marrë parasysh se me cilin lloj të vaksinës është imunizuar paraprakisht qytetari. Mes tjerash u paralajmërua se do të vijë donacion me 250 mijë vaksina Johnson&Johnson nga Danimarka.
“Nga njohuritë që kemi deri tani, doza e tretë e vaksinës duhet të jetë nga prodhuesi Pfizer, do të shohim, do të ndjekim edhe më tej a do të ketë rekomandime tjera për prodhuesit e tjerë. Më lejoni të ju njoftoj se presim që këtyre ditëve edhe zyrtarisht Danimarka ta shpall donacionin prej 250 mijë vaksinash nga prodhuesi Johnson. Janë vaksina me afat deri në vitin 2023”, tha Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë.
Rekomandimi vlen edhe për qytetarët që kanë kaluar Covid-19, janë vaksinuar dhe bëjnë pjesë në kategoritë e lartpërmendura. Qytetarët do të marrin mesazh nëpërmjet sistemit “Termini im” se ata mund të aplikojnë për vaksinë, dhe kjo do të fillojë të hënën, shtoi ministri.
“Në disa shtete janë mbi 50 vjeç, diku mbi 55, në SHBA mbi 65 vjeç. Duke pasur parasysh të gjitha këto punë, ne e japim këtë rekomandim, pa marrë parasysh se me cilën vaksinë janë imunizuar paraprakisht, mund të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinësh. Ka vaksina mjaftueshëm, në të gjitha punktet. Procesi do të fillojë të hënën, nga e hëna ngaqë do të duhet të rregullohen disa punë në sistemin elektronik”, shtoi Filipçe.
Gjithsej 1,482,287 doza vaksinash janë aplikuar në vend, ndërsa 703,878 qytetarë janë imunizuar me dy doza./TV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?