Drama në Superligë, Drita e Ballkani dështojnë si vendas

Të dy ndeshjet e sotme të Superligës së Kosovës, të vlefshme këto për xhiron e 28-të të këtij edicioni nuk kanë prodhuar fitues.

Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin e qytetit në Gjilan, Drita ka barazuar 1:1 me skuadrën e Trepçës ’89.

Golin e parë të ndeshjes e shënoi Besnik Krasniqi, i cili kaloi Dritën në epërsi prej 1:0 në minutën e 12’, kurse golin e barazimit për mitrovicasit, dhe të fundit të ndeshjes e shënoi Egzon Fazliu në minutën e 24’.

Me pikët e reja, Drita kryeson tabelën me 56 pikë, krahas Trepçës ’89 që zë vendin e tetë në tabelë me 30 pikë.

Po ashtu, krahas këtij takimi u zhvillua edhe përballje tejet interesante mes Ballkanit dhe Malishevës, ku kishte drama në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Ballkani ishte në avantazh 2:0 përmes Van Dave Harmon (minuta e 60’) dhe Edvin Kuc (minuta e 86’), por që Malisheva arriti ta barazoj rezultatin në 2:2, ku fillimisht shënoi Ronald Sobowale (minuta e 88’) e më pas Behar Maliqi e vulos rezultatin final 2:2 në minutën e 94’.

Me pikët e reja, Ballkani zë vendin e dytë në tabelë me 55 pikë të arkëtuara, krahas Malishevës që renditet në vendin e shtatë në kuotën e 30 pikëve.

Rezultatet finale:

Ballkani 2:2 Malisheva

Drita 1:1 Trepça ‘89.

Back to top button