Dreshaj për RTV21: Kam kërkuar nga Konjufca t’i kthehet ligjshmëria komisionit hetimor për tekste shkollore

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i komisionit hetimor për tekstet shkollore, Shemsedin Dreshaj për rtv21 tha se i ka kërkuar kryeparalametnarit Glauk Konjufca që t’ia rikthejë ligjshmërinë komisionit hetimor për tekste shkollore pasi që ajo që po bënë partia në pushtet është e jashtëligjshme dhe se të drejtën për të thirrur mbledhje të komisionit sipas Dreshjat e ka vetëm kryetari dhe nënkryetari i komisionit hetimor. Këtë deklaratë Dreshaj e dha pasi që deputetit të LVV-së Armend Muja i cili ka fajësuar opozitën për sabotim të këtij komisioni.
Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme duke thënë se AAK preferon janarin për të shkuar në zgjedhje.
“Realisht Kuvendi është në pushim unë katër deputetë i kam në pushim një e kam jashtë vendit dhe çdo herë kemi funksionu me minimumin e kuorumit madje as për nevoja fiziologjike nuk i kam leju të shkonin dhe ajo që po bënë LVV-ja është se gjoja opozita po pengon procesin e komisionit. Në anën tjetër unë jamë kryetar i komisionit dhe unë e ftoj komisionin ose nënkryetari por jo dikush tjetër. Unë mbrëmë e kam informu kryeparlamentarin Konjufca dhe pres rikthimin e ligjshmërisë, sepse kjo që po bënë LVV, nuk është parimore pra një parti e vetme pa të drejtë të ftojë mbledhje të komisionit po merr në pyetje dëshmitarët”, tha Dreshaj për rtv21.
Muja akuzon opozitarët për sabotim të punës në Komisionin hetimor për tekstet shkollore
Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit hetimor për tekstet shkollore për shkak të mungesës së kuorumit. Edhe të martën munguan deputetët opozitarë, përfshirë kryesuesin e komisionit, deputetin Shemsedin Dreshaj dhe zëvendëskryesuesin, deputetin Ardian Kastrati. Për këta dy të fundit, deputetë të pushtetit thanë se kanë bërë referim te seanca plenare për mospërmbushje të detyrave parlamentare.
Anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Armend Muja, akuzoi deputetët opozitarë dhe kryesuesin për sabotim të punës së komisionit hetimor.
“Kjo mbledhje është thirrur me datën 25 korrik, para një jave nga vet kryesuesi i komisionit, zotëri Shemsedin Dreshaj. Edhe dje ishte e njëjta gjë, ndërsa sot me keqardhje konstatoj se prapë i njëjti është në shkelje të ligjit për hetim parlamentar. Megjithëse kërkesa është bërë nga një e treta e deputetëve, ku thuhet në nenin dhjetë paragrafin 1 që me kërkesë të një të tretës së deputetëve kryesuesi detyrimisht është prezentë në mbledhje, mirëpo nuk ka ardhur…Plani i punës ka paraparë që deri në fund të korrikut intervistohen të gjithë dëshmitarët, pastaj ne si komision e kemi përpiluar një listë të dëshmitarëve me afatet kohore për secilin dhe është paraparë që kjo të përfundojë me datën 31 korrik, me propozim të kryesuesit”, tha ai.
Sipas tij, deputetët e pushtetit kanë treguar përkushtim për përfundimin e hetimit për tekstet shkollore, në mënyrë siç tha mos të bëhen pengesë për nazet e opozitës për të propozuar komisione hetimore vend e pa vend.
“Ne si deputetë të shumicës kemi pas dakordim që vështirësitë që i ka opozita për me i verifikua hipotezat e tyre të paqëndrueshme, ne nuk do të jemi shkaktar. Ne kemi vendos të jemi të disiplinuar dhe të marrim pjesë, sikurse edhe çdo ministër që të jetë prezentë. Ne s’duhet të jemi shkaktar për nazet e opozitës për të propozuar komisione hetimore vend e pavend”, theksoi Muja.
Ndër pikat e rendit të ditës së komisionit hetimor sot ka qenë sekretarja e përgjithshme e MASHT-it, Fadile Dyla, ushtruesi i detyrës së drejtorit të departamentit të arsimit parauniversitar, Avni Rexha dhe Drita Kadriu, drejtoreshë e arsimit në Mitrovicën e Jugut.
Pavarësisht mungesës së kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, Komisioni hetimor për tekstet shkollore dje zhvilluar nën kryesimin e deputetes Arjet Fejza, për që e njëjta u konsiderua jo ligjore dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit nga opozitarët.
Opozita ia dështon mbledhjen Komisionit Hetimor për tekstet shkollore
Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 në mungesë të korumi, pasi deputetët opozitarë munguan.
Anëtari i komisionit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja akuzoi opozitarët për sabotim të punës së këtij komisioni.
Në rend të ditës ka qenë e paraparë të intervistohen dëshmitarët: Fadile Dyla, Sekretare e Përgjithshme e MAShTI, Avni Rexha, U.D. Drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar dhe Drita Kadriu Drejtoria e Arsimit e Komunës Mitrovicë e Jugut.