Dritan Abazoviq, mandatar i Qeverisë së re në Mal të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, propozoi liderin e Lëvizjes Qytetare URA, njëherësh ish-zëvendëskryeministër, Dritan Abazoviq, për mandatar të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.
“Përfaqësuesit e Lëvizjes URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur Qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti të mbajë një seancë dhe të vendosë për programin dhe përbërjën e Qeverisë me propozimin e mandatarit”, thuhet në deklaratën e Gjukanoviqit.
Më herët, presidenti Gjukanoviq zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e partive parlamentare, të cilave nuk iu përgjigjën partitë e shumicës së mëparshme qeverisëse, Fronti Demokratik pro-Serb (DF), Mali i Zi Demokratik (Demokratët) dhe Partia Popullore Socialiste (SNP).
Partitë kombëtare të pakicave thanë gjatë konsultimeve me Gjukanoviqin se e mbështesin qeverinë e pakicës, ndërsa socialdemokratët thanë se do të mbështesnin “çdo qeveri me mendje evropiane” dhe ishin të gatshëm jo vetëm ta mbështesin atë, por edhe të marrin pjesë në të, transmeton TV21
Pas bisedimeve me Gjukanoviqin më 25 shkurt, lideri dhe deputeti i Partisë Socialdemokrate (SDP), Rashko Konjeviq, tha se Malit të Zi i duhet një qeveri e qëndrueshme me prioritete të qarta dhe jo një eksperiment i ri politik, i ngjashëm me Qeverinë në largim të Zdravko Krivokapiqit.
Më pak se një muaj pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit, SNP-ja nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në Qeverinë e Dritan Abazoviqit.
Fronti Demokratik dhe Demokratët kërkojnë formimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve.
Ata e konsiderojnë konceptin e qeverisë së pakicave si “tradhti” ndaj vullnetit elektoral të votuesve në zgjedhjet e gushtit 2020, prandaj në Podgoricë dhe qytete të tjera malazeze po organizojnë protesta dhe bllokada duke kërkuar zgjedhje të reja. Ata akuzojnë URA-n dhe Abazoviqin për marrëveshje politike me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Gjukanoviq.
Protestat nisën në fund të janarit të këtij viti, në prag të rënies së Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, së cilës i është dhënë mosbesimi më 4 shkurt./21Media

Back to top button