“Dua të varrosem pa ritual fetar, e pa prani zyrtare”, publikohet letra me amanetet që kishte lënë Rexhep Qosja

Qosja në fillim të letrës së tij ka shkruar se dëshiron të varroset pa ceremoni fetare dhe pa prani zyrtare.
Akademiku Rexhep Qosja është varrosur sot në një ceremoni private familjare, ashtu siç kishte kërkuar vetë i ndjeri.
Në llogarinë e tij zyrtare në Facebook është publikuar letra që ai e kishte shkruar para 10 vjetësh (4 prill 2016), e në këtë letër ai kishte shkruar se dëshiron të varroset pa ritual fetar e pa prani zyrtare.
.Letra e plotë:
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT KËRKOJ TË KUJDESET DHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jam i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve pushteteve të tyre, dua të jam i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jam edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mosqpajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Prishtinë, 30.4.2016
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep QOSJA /21Media