“Duhet t’iu tregojmë njerëzve kush është kundër shtetit të Kosovës”

 

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, në vazhdën e takimeve mobilizuese me strukturat e partisë, sot vizitoi degën në Suharekë, nga ku kryeministrit në detyrë iu garantua se e ka mbështetjen e fuqishme të anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë tha se në këtë garë duhet t’i japin dy mesazhe. “E para, LDK mbetet në rrugën drejt vendeve perëndimore, ndërsa e dyta, duhet t’u tregojmë njerëzve kush janë njerëzit kundër shtetit të Kosovës”, tha ai.

Hoti i përgëzoi përfaqësuesit e degës në Suharekë për organizimin e shkëlqyeshëm, madje tha se shpreson që t’i jepet impuls edhe degëve përreth.

“Jemi në prag të një procesi zgjedhur dhe ju përgëzoj për këtë mobilizim të madh, por nuk është befasi, pasi Suhareka dhe LDK janë sikur një sinonim i njëra-tjetrës. Pavarësisht disa flluskave, ne jemi këtu dhe kemi dëshmuar edhe më herët si dimë dhe mund ta kalojmë çdo situatë, madje edhe të tilla si ato me dhunë e me vrasje. Jam i sigurt se do të qëndrojmë edhe tash dhe në zgjedhje do të kemi rezultat shumë të mirë”, shtoi kandidati i LDK-së për kryeministër.

Ai u shpreh se për shtatë muaj qeverisje, janë munduar të tregojnë kulturën që e ka LDK në qeverisje.

“Jemi para një gare e cila do të jetë bukur e rëndë, prandaj unë besoj se është momenti që edhe LDK të luajë rëndë, fuqishëm, por vetëm në kuptimin e artikulimit të qartë politik që e kemi ne dhe artikulimit të qartë para qytetarëve se kush janë të tjerët, me të cilët zhvillimet politike bënë që një kohë të ishim bashkë. Unë kam qenë njeriu i parë i LDK-së në atë Qeveri, prandaj e di se sa vështirë ka qenë të ruhen vlerat e LDK-së, të ruhet shteti i Kosovës nga orientimet e mbrapshta që filloi t’i marrë shteti i Kosovës”, u shpreh Hoti.

Ai potencoi se LDK e ka barrën të ruajë vlerën e shtetit, kulturën civilizuese, pavarësisht se nuk i lejohet të bëjë garë civilizuese.

Back to top button