Duncan për vizitën e tij të parë në Kosovë: E tmerrshme ishte ajo që pash

(Lajm i përditësuar)
Duncan pyetet për Azem Sylën dhe Sokol Bashotën
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari John Duncan të hënën u pyet nëse i njeh Azem Sylën dhe Sokol Bashotën.
Për të parin, dëshmitari tha se është emër që e ka dëgjuar, ndërsa kur u pyet për Bashotën ai tha se nuk është i mirë me emrat.
Duke u munduar që t’ia rifreskojë kujtesën dëshmitarit, prokurori Matt Halling i tha se çka nëse i thuhet se Azem Syla ka qenë ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe Sokol Bashota ish-zëvendëskomandant.
Si rrjedhojë, dëshmitari Duncan tha se emrat i ka të dëgjuar pasi i dha pak kontekst prokurori. Ai tha se nuk i mban mend as emrat e Zonave Operative siç janë ndarë në UÇK.
Ndryshe, me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar edhe nesër me dëshminë e të njëjtit dëshmitar.
John Duncan: S’kam parë komunikata të UÇK-së ku përmendeshin ekzekutime
John Duncan ka thënë se gjatë kohës sa kanë shërbyer në Kosovë nuk kanë parë ndonjë komunikatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ku përmendeshin ekzekutime apo likuidime ndaj kolaboracionistëve.
“Nuk kam parë diçka të përmendeshin të kësaj natyre ku përmendeshin ekzekutime apo likuidime të kolaboracionistëve apo tradhtarëve të kombit”, tha dëshmitari.
Kjo përgjigje e dëshmitarit erdhi pas pyetjeve të prokurorit Matt Halling, i cili e filloi këtë proces pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Ndërsa, për komunikatat e tjera që pretohet se janë lëshuar nga UÇK-ja, dëshmitari Duncan tha se i ka parë shumë prej tyre.
“I kam parë, por jo gjithmonë. Por, kam parë shumë shpesh. M’i raportonin GDOM-i, Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndonjëherë i shihja në shtyp”, tha ai.
Dëshmitari foli edhe për tematikën e komunikatave që ai i ka parë gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë.
“Larmishmëri temash lidhur me aspekte politike të zhvillimeve, por nga sa kam lexuar, shumë po përpiqeshin të tregonin se ishin një organizatë e mirëthemeluar dhe ishin e ardhmja e Kosovës. Ky ishte mesazhi që po përpiqeshin të përcillnin”, tha dëshmitari.
Si rrjedhojë, Duncanit iu prezantua një komunikatë që pretendohet se është e UÇK-së dhe mban numrin 28. Sipas prokurorit, kjo komunikatë ishte lëshuar më 16 janar 1997, e cila thoshte që më 26 dhjetor 1996 dhe 9 janar 1997 në zonën operative 1, njësitet e UÇK-së kryen dy vrasje kundër dy kolaboracionistëve të pushtuesve serbë në Kosovë. Sipas kësaj komunikate, vendimi për ekzekutimin e këtyre dy personave u mor nga Shtabi Qendror i UÇK-së pasi ishin paralajmëruar më herët që të hiqnin dorë nga bashkëpunimi me pushtuesin.
Dëshmitari tha se kjo komunikatë është nxjerrë më parapara se ai të shkonte në Kosovë. Mohoi se ka parë ndonjëherë rregullore të brendshme të funksionimit të UÇK-së.
Përveç kësaj, ai tha se ka parë vetëm dokumentin e emërimit të Agim Çekut në pozitën e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se nuk i kujtohet se kush e ka lëshuar atë vendim.
Duncan: Nuk kam pasur dëshmi se ekziston një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake
Derisa është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, avokatit Rodeny Dixon, dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara, John Stewart Duncan, tha se gjatë qëndrimit në Kosovë nuk kishte parë se ekziston një Shtab i Përgjithshëm.
Më herët gjatë dëshmisë ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, foli për rolin e tij në Kosovë. Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun – gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.
“Unë kam dëgjuar të përmendet Shtabi i Përgjithshëm por këtë në deklarata politike kryesisht, kam kuptuar se është krijuar në mes të viteve 1990 kur UCK-ja ishte një organizatë tejet e ndryshme, shumë më e vogël dhe po dëshironin t’i jepnin një titull grandioz vetës si Shtabi i Përgjithshëm. Por në kohën sa kam qenë atje, nuk kam pasur asnjë dëshmi që ekziston një shtab i përgjithshëm nga pikëpamja ushtarake”, tha ai.
Më pas, ish-diplomati britanik nisi të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatit Aiden Elis.
Mbrojtja e Thaçit përfundon pyetjet për Duncan
Në pjesën e fundit të ditës, dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, foli për një takim që Wesley Clark e kishte zhvilluar me Hashim Thaçin në gusht të vitit 1999.
Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, tha se kishin diskutuar, ndër të tjera, situatën e sigurisë në teren.
Duncan: Procesi i demilitarizimit kishte shkaktuar pakënaqësi
“Ngrita një problem me gjeneralin Clark, lidhur me procesin e demilitarizimit, duket sikur ky proces kishte shkaktuar pakënaqësi, dhe Thaçi dukej sikur po humbte mbështetjen nga disa prej komandantëve të zonës të cilët dëshironin të shiheshin si të asociuar me palë të tjera, në veçanti me lidhjet për financimin e mëparshëm të UÇK-së. Ngritëm problemin që kjo mbase mund të ishte një pengesë për procesin e demilitarizimit të UÇK-së. E këshillova gjeneralin Clark që të shmangte një përballje publike me zotëri Thaçin sepse mendoja që mbase kjo mund të dëmtonte pozicionin e vet. Ne na nevojitej argumenti publik i tij që përmbajtja e marrëveshjes do të zbatohej”, tha ai.
Ai tha se Agim Çeku ishte personi përgjegjës për të përmbushur dhe mbikëqyrur marrëveshjen.
Lidhur me veprimet e qershorit të vitit 1999 dhe djegien e shtëpive që u përkisnin serbëve, ai u pyet nga mbrojtja nëse Thaçi do të mund ta ndalonte një gjë të tillë.
Pjesë nga dëshmia
Mbrojtja: A do të mund ta kishte ndalur Hashim Thaçi atë dhunë?
Duncan: Në mënyrë të pavarur jo. Nuk ishte dhunë e organizuar. Bëhej fjale për sulme të hakmarrjes. Si çdo politikan ai mund të lëshonte thirrje për qetësi, sepse nuk ishte e organizuar nga UÇK-ja, me sa kuptonim ne nga informacionet që merrnim, më e mira që mund t’i kërkonim të bënte.
Mbrojtja: A e bëri ai këtë apel?
Duncan: Po, e bëri.
Me këtë, mbrojtja e Thaçit përfundoi pyetjet për ish-diplomatin britanik për të nisur menjëherë Intervistimi nga mbrojtja e Kadri Veselit.
Duncan për vizitën e tij të parë në Kosovë: E tmerrshme ishte ajo që pash
Diplomati britanik, John Stewart Duncan po dëshmon në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur nëse ka qenë në Kosovë në vitin 1999, ai ka thënë se e ka pohuar këtë.
“Po kam shkuar disa herë më konkretisht në gusht”, tha ai.
Duncan ka treguar detaje nga vizita e tij e parë në Kosovë, ku tregoi se ka parë dëmet që kanë pësuar shtëpitë dhe kafshët në Kosovë
“ E tmerrshme ishte ajo që pash, tronditëse. Kur mbërritëm atje pamë të gjitha dëmet që kishin pësuar shtëpitë e shqiptarëve dhe kafshët, mund të shihnim edhe shtëpitë e serbëve teksa po digjeshin të paktën gjashtë dhe një prej tyre ishte 100 prej nga vendi ku u ulë helikopteri. Teksa po vozitshim në qytet mund të shihnim rrëmujën që po mbizotëronte, dëmtimet ishin prej bizneset, shtëpitë shqipëtare. Nuk është shkatërrim që shihet zakonisht nga bombardimet, bombardimet i kam parë, e di qfarë pasojash lë. Ky ishte një shkatërrim tjetër, lloj tjetër shkatërrimi këtë se kam thënë në dëshminë time. Njerëzit e këqinj atje bënin dëme”, deklaroi ai.
Ai shtoi se dhuna në Kosovë fillimisht ishte e ushtruar prej serbëve.
“Për mizorit që kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhuna fillimisht ishte e ushtruar prej serbëve, ndoshta dhuna që pash unë kur isha atje po bëhen prej shqiptarëve të Kosovës”, deklaroi Duncan.
I pyetur se nëse kishte parë ndonjë pjesëtarë të UÇK-së kishte bërë ndonjë vepër penale dhe krime, ai e ka mohuar këtë gjë. /21Media
Duncan për Thaçin: Mënyrën se si silleshin me të gjatë negociatave, ai kishte një lloj ndikimi dhe autoriteti
John Stewart Duncan, ish-këshilltari i NATO-s, po jep dëshminë e tij në Hagë, i cili është thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
I pyetur nga trupi gjykues nëse Hashim Thaçi ishte krye komandant i UÇK-së, ai tha se nuk ka parë asnjë provë.
“ Jo se nuk ka parë asnjë dëshmi, provë të kësaj gjëje”, tha Duncan.
Për mënyrën se si silleshin pjesëtarët e UÇK-së, ai tha se Thaçi kishte një lloj ndikimi dhe autoriteti.
Teksa shtoi se autoriteti nuk ishte si për dikë për të cilin ata kishin respekt ushtarak.
“Mënyrën se si silleshin ata me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin atë si krahun politik siç prisja unë, kishte një lloj ndikimi, një lloj autoriteti por jo si dikë për të cilin kishin respekt ushtarak, ishte shumë e dukshme kjo”, tha ai. /21Media
Duncan për takimin me UÇK-në: Vinte era luftë e era barut- më la mbresa, Ramushi ngjante si në filmat e Rambos
Duke folur për një takim me anëtarët e UÇK-së në qershor të 1999-ës, dëshmitari John Duncan deklaroi se i kujtohet se vinte era luftë, barut e tym, gjë e cila i kishte lënë mbresa.
“Më kujtohet era. Vinte era luftë. Më ka bërë shumë përshtypje era barut. Era barut e era tym është njëra ndër gjërat që më ka lënë mbresa. Moment shumë mbresëlënës për mua”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se në këtë takim ishte gjenerali Agim Çeku, John Reef, komandantët e zonave si Ramush Haradinaj dhe Rrustem Mustafa, e të tjerë.
Ai tha se nuk e di se si kishin ardhur komandantët e zonave aty. Tha së u bënë shumë pyetje dhe ranë dakord në pika të përgjithshme.
Dëshmitari Duncan u shpreh se nga pikëpamja ushtarake ishte takim frytdhënës. Ndërsa, sipas tij, krahu politik kërkonte formulime që do të njihej Qeveria e Përkohshme e Kosovës.
“Nga pikëpamja ushtarake ka qenë shumë frytdhënës si takim. Krahu politik më duket se është zoti Haliti atje ose ndonjëri nga të pandehurit këtu mbase, ishin shumë të vështirë. Kërkonin formulime që të bënin të qartë që të njihej Qeveria e Përkohshme. U përpoqëm që të mos e pranonim këtë. Takimi pati një sukses të pjesshëm. Tekst mbeti pak a shumë siç e kisha hartuar unë. Kështu që, i shtuam disa hollësi. Takimi ishte frytdhënës. Ata hezitonin shumë, ata thonin se ne e kemi fituar luftën dhe nëse çarmatosemi ta bëjmë me nderë- nëse çarmatosemi ta bëjmë siç duhet. Kishte një ndjenjë të fortë prej tyre. Ata e konsideronin veten si luftëtarë të suksesshëm dhe donin ta mbronin veten përpara syve të popullit të tyre”, tha dëshmitari.
Për Ramush Haradinajn, Duncan tha se është karakter i veçantë, duke e krahasuar me filmat e Rambos.
“Është karakter i veçantë. Është si në filmat e Rambos. E kishte një emblemë në krah. Të binte në sy si personazh. Fliste goxha shpesh”, tha ai.
Ndërsa, për komandantët e UÇK-së, dëshmitari tha se iu përforcua ajo që i kishte thënë Agim Çeku, se ata ishin aktorët kryesorë dhe duhej të përfshiheshin në negociata.
Dëshmitari në Hagë tregon si e bindën UÇK-në të demilitarizohej: Unë e shkrova tekstin
Diplomati britanik, John Stewart Duncan po dëshmon në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duncan, i cili ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, tha se ai ishte autor i tekstit të marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.
“Unë isha i pranishëm, sepse unë e kam shkruar tekstin e marrëveshjes”, tha ai.
Marrëveshja, tha ai, “përmbante edhe përfitime, edhe ndëshkime”.
“Pra, ju si ushtri e Kosovës, bini dakord që të zbrisni nga malet, të shkoni në kampe t’i dorëzoni armët, dhe si shpërblim, ne do t’ju gjejmë juve një rol për ta luajtur në shoqëri, dhe kështu funksionoi ky proces. Ky është modeli që shfrytëzova unë për ta hartuar këtë marrëveshje”, tha ai.
Duncan tha se me nënshkrimin e marrëveshjes “nënkuptohej që të vazhdonte procesi që UÇK-ja, nga përceptimi ndërkombëtar, të shndërrohej nga një grup kriminelësh apo terroristësh, të ishin luftëtarë të lirisë që e kishin nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë”.
Diplomati tha se ai e dinte se çfarë do të ndodhte dhe në çfarë do të shndërrohej UÇK-ja dhe se këtë ua kishte shpjeguar komandantëve.
Duncan: Nuk kishim besim që Thaçi do të ishte në gjendje t’i bindte ushtarët
Sot, në seancën në Hagë po dëshmon dëshmitari i tretë i mbrojtjes, John Stewart Duncan.
Ai shtoi se problem i madh ishte udhëheqësia e UÇK-së, siç personifikohej nga Hashim Thaçi, mund të mos ishin në gjendje që t’i bindte ushtarët e UÇK-së lidhur me Marrëveshjen e demilitarizimit.
“Problem tjetër i madh ishe që udhëheqësia (po i zgjedh fjalët me kujdes këtu) siç personifikohej nga Hashim Thaçi, mund të mos ishin në gjendje që t’ bindin ushtarët e UÇK-së të cilët ne nuk ishim të bindur që do të ndodhte një gjë e tillë. Po të ishim bindur që kjo do të ndodhte do të shkonim tek udhëheqësia politike e UÇK-së dhe do t’i kishim thënë se kemi nevojë për një marrëveshje të çarmatosjes dhe ta negociojmë”, tha ai.
Ndër të tjera Duncan deklaroi se nuk besonin që Thaçi do ishte në gjendje që do i bindte ushtarët.
“Ne nuk kishim besim që z. Thaçi do të ishte në gjendje që t’i bindte ushtarakët apo ushtarët”, tha ai.
Duncan tha se funksioni i Thaçit nuk e përfaqësonte realitetin, teksa shtoi se nuk ishte i qëndrueshëm nga pikëpamja politike.
“Sa i përket udhëheqjes politike nëse mundem të shtoj diqka. Nuk ishte realiste që Thaçi të njihej si udhëheqësi politik i Kosovës, kishte forca të tjera politike që ekziston atje si LDK, Rugova dhe të tjerë. Ato mund të kishin zgjedhur atë si udhëheqës i delegacionit të Rambujesë por ai nuk ishte të quhet legjitimitet (politik) në shoqëri demokratike, nuk ishte zgjedhur nga populli. Ai kishte deklaruar në një qeveri të përkohshme por ne kishim arritur në pikën që ne (NATO) ta njihte atë si kryeministër të Kosovës, nuk kishte kjo gjë realiste dhe nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike”, tha Duncan. /21Media
Dëshmitari në Hagë: UÇK-ja kishte përbërje heterogjene
John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë, është duke dëshmuar para Gjykatës Speciale atje.
Duncan ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte përbërje heterogjene dhe se përbëhej nga njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme.
“Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person”, tha Duncan.
Duncan për tiparet e shqiptarëve: Janë shumë burimorë, kreativë dhe të pavarur
Sot, në seancën në Hagë po dëshmon dëshmitari i tretë i mbrojtjes, John Stewart Duncan.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka folur për përvojën e tij me shqiptarët, ku veçon tri tipare të tyre, që sipas tij janë shumë burimorë, shumë kreativë dhe të pavarur.
“Sipas përvojës sime me shqiptarët, janë shumë burimorë, shumë kreativë dhe të pavarur. Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtarë nuk e kuptonte këtë sipërmarrje apo këtë karakter dallues të marrjes së vetes në duar të veta nga shqiptarët. Shqiptarët ishin shumë kreativë dhe nëse ata janë kriminelë efektiv në vetvete nuk është çuditëse sepse ka të bëj me një nga tiparet kryesore, pra gjetjes së mënyrës për të shprehur në mënyrën më efektive. Kjo është diçka të cilën ne e kemi parë ndër vite, që shqiptarët bëhen biznesmen shumë të mirë, persona me emër në fushën e tyre.”, ka thënë Duncan.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se komuniteti ndërkombëtar e kishte të vështirë të kuptonte këto tipare.
“Kishin një vlerësim shumë larg nga e vërteta e shqiptarëve. Kjo mund të ndihmon shumë në çoftë se të duhet të trajtosh personat të cilët thjeshtë mundoheshin të mbronin veten”, ka thënë ai.
Duncan i pyetur se nëse po flet për shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë, ai tha se po fliste për tiparet kryesore të shqiptarëve etnik.
“Unë po përshkruaja tiparet kryesore të shqiptarëve etnik, nuk është e nevojshme këtu të bëj dallimin ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë apo atyre të Kosovës”, deklaroi ai.
Duncan: Lufta në Kosovë nuk ishte si e boshnjakëve dhe kroatëve
Ish-këshilltari i NATO-s, John Stewart Duncan, po vazhdon dëshminë e tij sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Për luftën në Kosovën, ai deklaroi para trupit gjykues se kjo luftë ishte shumë më ndryshe se ajo mes boshnjakëve dhe kroatëve, sipas tij kjo sepse populli i Kosovës po luftonte kundër atyre që i kishin dhunuar.
“Lufta [në Kosovë] nuk ishte si e boshnjakëve dhe kroatëve që luftonin ndërmjet njëri-tjetrit, por bëhej fjalë për një luftë ku populli luftonte kundër atyre që i kishin dhunuar”, deklaroi Duncan.
Dëshmitari britanik pritet të dëshmojë dy ose tri ditë. /21Media
Duncan: Pas komunizmit, ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte komunitetin ndërkombëtar
Diplomati britanik, John Stewart Duncan deklaroi se pas rënies së komunizmit në Shqipëri, shqetësim për komunitetin ndërkombëtar ishte ideja e Shqipërisë së Madhe.
“Ka pasur një aspekt tjetër që besoj që ju e kuptoni, ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte komunitetin ndëkrombëtar dhe kjo kishte kohë. Dhe kur doli Shqipëria nga komunizimi, ky ishte një nga shqetësimet dhe ata donin të kuptonin se si ishte marrëdhënia në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Kështu që unë duhej të isha i fokusuar në këtë aspekt, të bisedoja me këta persona dhe t’ua shpjegoja eprorëve të mi se a ishte kjo një realitet, a mund të ndodhte kjo, a ka dallime në mses shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosvës”, tha Duncan.
Ish-këshilltari i Wesley Clark, përpara kësaj tha se ai dhe eprorët e tij ishin të interesuar se si funksiononte shoqëria në Shqipëri pas daljes nga komunizmi.
“Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vite edhe unë isha vërtetë i interesuar se si funksiononte shoqëria sepse ishte themelësi e detyrës sonë si diplomatë. Ne, duhet t’iu shpjegojmë eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodhë në këtë shoqëri, si ndikojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata, pse mund të jenë ndonjëherë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati, t’ua shpjegojë të gjitha spektet e një shoqërie eprorëve përkatës”, tha ai. /betimipërdrejtësi
Nis dëshminë britaniku i thirrur nga mbrojtja e Thaçit
Ka nisur dëshminë britaniku i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ky është dëshmitari i tretë që paraqitet në Dhomat e Specializuara të Hagës, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Javën e kaluar para trupit gjykues kishin dëshmuar James Rubin dhe Paul Williams.
Kurse mbrojtja e Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vijim.
Sot nis dëshminë një britanik në Gjykatën Speciale, i ftuar nga mbrojtja e Thaçit
Sot në sallën e gjyqit në Gjykatën Speciale në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të nisë dëshminë dëshmitari i tretë me radhë.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi këtë herë e ka thirrur një britanik që të dëshmojë.
Seanca në gjykatoren e Gjykatës Speciale nis nga ora 09:00. Mbrojtja e Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vijim.