Durmishi: Boll keni vjedhë Bekë Berisha

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i është përgjigjur akuzave të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për katër kontratat e dyshimta.
Durmishi ka thënë se nuk i ka nënshkruar katër kontratat në vlerë rreth 400 mijë euro.
“Nuk i kam nënshkru katër kontrata në vlerë rreth 400 mijë euro o Bekë Berisha sepse me ligj zv. Ministri nuk nënshkruan kontrata nën vlerën 500 mijë euro. Ato katër kontrata që po i përmend ti e kanë vlerën 12 milionë euro. I kishim të planifikuara 16.5 milionë euro për mirëmbajtjen e autoudhëve dhe arritëm që të nënshkruajmë kontrata për vetëm 12 milionë euro. Ky do të duhej të ishte lajmi në fakt”, ka thënë ai.
“Nuk ka me vjedhë më Bekë. Boll keni vjedhë Bekë Berisha”, ka shtuar Durmishi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  ka ftuar të premten Prokurorinë e Shtetit të nisë hetimet për katër kontrata publike kornizë të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për siç thuhet mirëmbajtje të autostradave, në këtë rast për autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.
Deputeti nga kjo parti, Bekë Berisha, në një konferencë për media ka thënë se vlera e këtyre kontratave të dyshimta për korrupsion është mbi 400 mijë euro, të nënshkruara nga zëvendësministri Hysen Durmishi dhe nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi./21Media

Back to top button