Berisha: Kurti i ka meshkujt aktiv për korrupsion nëpër tenderë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ftuar të premten Prokurorinë e Shtetit të nis hetimet për katër kontrata publike kornizë të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për siç thuhet mirëmbajtje të autostradave, në këtë rast për autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.
Deputeti Bekë Berisha, në një konferencë për media ka thënë se vlera e këtyre kontratave të dyshimta për korrupsion është mbi 400 mijë euro, të nënshkruara nga zëvendësministri Hysen Durmishi dhe nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.
“Janë diku katër kontrata në vlerë prej mbi 400 mijë euro të nënshkruara nga drejtori i Departamentit për Prokurim Publik, i cili është shkarkuar nga ministri i këtij dikasteri, Aliu. Dhe i njëjti për të dëshmuar se është i shkarkuar e ka ankesën në Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil. Prandaj, ftojmë prokurorinë dhe hetuesinë që të fillojnë hetime të menjëhershme, sepse këto që po themi janë të argumentuara me kontrata kornizë, që janë nënshkruar nga njeriu i larguar nga puna, nga zëvendësministri Durmishi. Kontratat i kam këtu, do t’i bëj publike”, ka thënë Berisha.
Deputeti ka thënë tutje se dëshiron t’ia bëjë me dije edhe kryeministrit Albin Kurti, se siç është shprehur ai, zyrtarët qeveritarë po e shkelin ligjin dhe janë të dyshuar për korrupsion lidhur me këto kontrata.
“Unë sot jam zgjuar si lodhshëm pak, sepse jemi lodhur diçka ne ‘meshqit’ (meshkujt), por e ftoj edhe Albin Kurtin me i treguar se meshkujt e tij janë shumë aktiv, por duke shkelur ligjin, sepse ka dyshime që është hajni e pastër. Janë ankes-kontrata të mirëmbajtjes, ose kontrata kornizë të mirëmbajtjes. Janë këtu katër kontrata”, ka theksuar deputeti.
Të katër kontratat kornizë të prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilat janë bërë publike të premten nga Grupi Parlamentar i AAK-së, janë të firmosura me operatorët ekonomikë më 25 korrik 2022.

Back to top button