Durmishi dorëzon në Speciale tenderin për mirëmbajtjen e urave

 
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deponuar një dosje në Prokurorinë Speciale, ku pretendohet se kanë evidentuar një korrupsion të hapur dhe brutal. Durmishi ka thënë se bëhet fjalë për tenderin për mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës.
Ai pas dorëzimit të kësaj dosje, ka thënë para mediave se kjo kontratë ka të bëjë me korrupsion të lartë dhe se është nënshkruar në kohën kur Pal Leja ishte ministër.
“Unë sapo e dorëzova një dosje për të cilën ne kemi dyshime të barazuara për një korrupsion të hapur dhe brutal. Bëhet fjalë për kontratën-‘Mirëmbajtja e urave rajonale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2019’. Kontrata është nënshkruar në mars të vitit 2018 në kohën e ministrit Pal Lekaj, vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 500 mijë euro e cila ishte bërë publike në platformën elektronike. Në fund kjo kontratë kishte përfunduar në vlerë 5 milionë e 300 mijë euro”, ka thënë ai.
Durmishi ka bërë të ditur se në kushtet e përgjithshme të kontratës është ndërhyrë dhe ndryshuar kundërligjshëm neni 24.
“Në pozicionin 5.1 në të cilën parashihet ndërhyrja dhe pastrimi i betonit të degraduar, ishin paraparë me kontratë 350 metra2, me çmim pesë euro për metra katror, që gjithsej do të bënin 1750 euro. Në fund të kontratës kjo sasi prej 350 m2 arriti në 103 mijë e 811 metra katror, ose në vlerë monetare 519 mijë e 58 euro. Pra, prej 1750 euro arrin vlerën në 519 mijë e 58 euro”, ka shtuar Durmishi.
Zëvendësministri Hysen Durmishi ka shtuar se kanë evidentuar edhe keqpërdorime të tjera në kuadër të kësaj kontrate të nënshkruar në kohën sa ishte ministri Pal Lekaj.
“Pozicioni 5,4 në të cilën parashihej lyerja e shtyllave të mesit të urës ishin të parapara 450 m2, me çmim prej 10 euro. Që gjithsej do të bënin 4500 euro sipas kontratës. Në fund kjo vlerë prej 450 m2 arrin në 103 mijë e 812 m2, ose në vlerë monetare 1 milion e 38 mijë e 124 euro”, ka theksuar Durmishi.
Më tej, ai ka deklaruar se si ministri janë duke rishikuar të gjitha vendimet, kontratat dhe dokumentet, meqë sipas tij ka edhe shumë keqpërdorime të tjera që janë evidentuar gjatë kohës sa në pushtet ishin parti të tjera.
Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të trajtojë me prioritet dosjen e dorëzuar sot.

Back to top button