Dy doza Pfizer ose AstraZeneca janë efektive kundër Deltës

Dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca kundër koronavirusit janë efektive kundër variantit Delta, aq sa janë kundër variantit të mëparshëm Alfa, tregon një studim i ri.
Studimi, i publikuar në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, konfirmon gjetjet e Autoritetit të Shëndetit Publik në Angli, të publikuara në muajin maj, rreth efikasitetit të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Sipas studimit të ri, dy doza të vaksinës Pfizer janë 88 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta i koronavirusit, krahasuar me 93.7 për qind efektivitet kundër variantit Alfa.
Dy doza të AstraZeneca-s, ndërkaq, janë 67 për qind efektive kundër variantit Delta dhe 74.5 për qind efektive kundër variantit Alfa.
Sipas studimit, një dozë nuk ofron mbrojtje të madhe në asnjërin rast.
Varianti Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi, është më ngjitës se variantet e mëparshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
OBSH-ja ka paralajmëruar këtë javë se Delta mund të bëhet dominuese brenda disa muajsh.
Edhe zyrtarë të OBSH-së kanë konfirmuar më herët se vaksinat janë efektive kundër variantit Delta.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në të gjithë botën janë dhënë mbi 3.7 miliardë vaksina kundër koronavirusit.
Në nivel global, koronavirusi ka prekur mbi 192.5 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur.
 

Back to top button