Dy ndeshjet vendimtare, Shqipëria shpreson në kualifikim për “Katar 2022”

 
Kombëtarja e Shqipërisë do të vazhdojë ëndrrën drejt kualifikimit për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku gjatë muajit tetor do të zhvillojë dy ndeshje, ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme këto për fazën kualifikuese të Grupit I.
Para ndeshjes me Hungarinë, në konferencë për media dolën futbollistët Ermir Lenjani dhe Nedim Bajrami, ku të dy treguan se skuadra e grumbulluar nga trajneri Reja do të japë maksimumin që të vazhdojë me rezultate pozitive në ndeshjet në vazhdim.
Po ashtu, Lenjani tha që fillimisht Kombëtarja e Shqipërisë duhet të fokusohet në ndeshjen e parë kundër Hungarisë, dhe të tregojë kualitetet e tyre si skuadër, e po ashtu në aspektin individual.
Ndwrsa mesfushori ofansiv Nedim Bajrami ndeshjen ndaj Hungarisë e cilësoi shumë të vështirë, por pavarësisht kësaj tha se duhet që të përgatiten maksimalisht.
Në fund, i pyetur se cila kombëtare është më e mirë, ajo e Hungarisë apo ajo e Polonisë, Bajrami u përgjigj se të dy kundërshtarët e ardhshëm të Shqipërisë janë të fortë pa dallim.
Ermir Lenjani rikthehet në ndeshjet e tetorit për Shqipërinë pas lëndimit që e kishte pësuar i cili e mbajti larg fushave për ndeshjet e kaluara të fazës kualifikuese, kurse Nedim Bajrami do të ketë rastin që të zhvillojë paraqitjen e tij të tretë me kombëtaren “Kuq e Zi”, nëse aktivizohet nga trajneri Reja në ndeshjen kundër Hungarisë.
Shqipëria ndeshjen e parë do ta zhvillojë më datën 9 tetor si mysafire e Hungarisë, kurse tre ditë më vonë, në stadiumin “Air Albania” e pret Kombëtaren e Polonisë.

Back to top button