Dy persona shpallen fajtorë për huliganizëm në protestën në Zveçan
Është shpallur vendimi për Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it,
Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se i akuzuari Radosh Petroviq është shpallur fajtorpër huliganizëm dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumë prej gjashtë (6) mijë euro, në këtë dënim të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit, ku për secilën ditë qëndimi do të llogaritet shuma prej
njëzet (20) euro.
I akuzuari Dushan Obrenoviq, është shpallur fajtor për huliganizëm dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit.
“Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës sipas llogaritjes së
shpenzimeve të gjykatës, obligohen të paguajnë nga 200 euro për paushallin gjyqësor secili
veç e veç, si dhe shumën nga 50 euro, për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës,
përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim./21Media