Dy vjet burg për pejanin që e rrahu gruan
Gjykata Themelore në Pejë sot e ka dënuar me dy vjet burg të pandehurin A.D për shkak se i njëjti në shtator të vitit të kaluar e kishte rrahur me boksa e shkelma bashkëshorten e tij.
“Më parë e gjer me datë 16.09.2020, rreth orës 23:20, brenda marrëdhënies familjare, në gjendje të dehur dhe me dashje, me mjet të përshtatshëm që mund të shkaktojë lëndime të rënda trupore, viktimës së ndjeshme të cilën e ka bashkëshorte, i shkakton lëndime të lehta trupore, në atë mënyrë që, natën kritike kur i pandehuri ishte kthyer në banesën e tyre, i pandehuri fillimisht i drejtohet me fjalë ofenduese, e pastaj e godet me boksa dhe shkelma dhe pastaj me mjet të fortë e godet në hundë, me të cilën i shkakton gjakderdhje të mëdha nga hunda dhe goja dhe mezi kishte arritur ta ndal gjakderdhjen në kushte shtëpie, pasi i njëjti e kishte privuar viktimën që të trajtohet nga mjekët”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Pejës.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.
Tutje Gjykata ka njoftuar se i pandehuri u obligua që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej pesëdhjetë euro si dhe ne emër te programit të kompensimit të viktimave të krimit, të paguaj shumën prej tridhjetë euro, në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media