Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, kërkohet dorëzimi i Radojçiqit

(Lajm i përditësuar)

Sot bëhen dy vjet nga sulmi terrorist në  Banjskë, ku ka mbetur i vrarë rreshteri  i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiq, por ai dhe dhjetëra të dyshuar janë ende të lirë në Serbi.

 Bunjaku është vrarë nga grupi i organizuar në pritje në veri, grupi ishte mobilizuar në fshatin Banjskë, derisa gjatë ikjes ishin kapur  fytyrat e tyre nga droni.

Pas sulmit Policia e Kosovës ka kapur një arsenal armësh, për të cilin akuzohet shteti i Serbisë,

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator të vitit 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Radojçiqit dhe mbi 40 të tjerëve . Megjithatë të gjithë ndodhen në Serbi dhe nuk kanë dalë para organeve të drejtësisë.


Osmani: Afrim Bunjaku ra hero duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Afrim bunjaku para dy vitesh ka rënë hero o, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës.

Osmani përmes një postimi në Facebook duke kujtuar sulmin terrorist në Banjskë tha se 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë dhe se Kosova është e pathyeshme.

“24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, shkroi Presidentja Osmani.


Kurti: Ndërkombëtarët mos ta konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk e dorëzon Radojçiqin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot bëri homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku.

Pas homazheve Kurti tha se heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur qytetarët pa dallim, duke mbrojtur rendin dhe ligjin.

“Tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e vet, këtë hero të Kosovës.

Me këtë rast dua të theksoj guximin e dyfishtë të heroit Afrim Bunjaku. Në njërën anë ai ia mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit… Dua të theksoj edhe aspektin tjetër të guximit të Afrim Bunjakut, e ky është fakti që ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të ri se ai t’ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur në rrugë nga kamionët e grupit terrorist, paramilitarë të Serbisë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi”, tha Kurti.

Më tej Kurti tha se guximi i Bunjakut u pasua edhe nga policët tjerë, Alban Rashiti e Mirsad Kryeziu.

Deriosa shtoi se Serbia nuk duhet të konsiderohet si shtet normal nga ndërkombëtarët.

“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq, aktakuza përfshinë 45 persona këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, tha Kurti.


Krasniqi: Sakrifica e Afrim Bunjakut është testament i guximit për Kosovën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në dy vjetorin e rënies së rreshterit  Afrim Bunjaku, tha se ai mbetet testament i mbrojtjes së Kosovës.

“Dy vite më parë, në Banjskë, ra heroikisht në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë. Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij sakrifica e Bunjakut është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut.

“Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës.

Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën!”, shkroi Krasniqi./21Media


Homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku

Në dy vjetorin e rënies heroike të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit ku prehet trupi i të ndjerit kanë shkuar shumë qytetarë, politikanë e figura tjera politike për te bërë homazhe tek varri i tij.

Homazhe pritet të bëjnë edhe krerët e institucioneve shtetërore.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.

Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.

Grupi prej rreth 50 personave që udhëhiqej nga kryeterroristi, Milan Radoiçiq – i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje- me veshje ushtarake ishte vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij.

Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.


Ambasada gjermane : E papranueshme pandëshkueshmëria e autorëve për rastin “Banjska”

Ambasada Gjermane në Kosovë në dy  vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë e ka cilësuar si të papranueshme që ende nuk është vënë drejtësi për këtë rast

,Ambasada ka thënë edhe pse ka kanë kaluar dy Milan Radojçiq i cili e ka pranuar që ishte udhëheqës i këtij grupi, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.

“Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi. Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme”, ka shkruar Ambasada.

Sipas Ambasadës  se është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme./21Media


Haradinaj: Respekt i përjetshëm për sakrificën e Afrim Bunjakut

Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, në dy vjetorin e sulmit tëerrorist në Banjskë ka kujtuar  sakrificën e rreshterit policor Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin terrorist në Banjskë dy vjet më parë.

“Sot kujtojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën sublime të “Heroit të Kosovës”, Afrim Bunjaku, i cili ra heroikisht në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e rënies, shpreh respektin e përjetshëm për sakrificën e Afrimit, që është një nder i përhershëm për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./21Media


Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, Ambasada e Britanisë kërkon që Radoiçiq të dalë para drejtësisë

Sot bëhen dy vite nga sulmi terrorist në  Banjskë.  Gjatë këtij sulmi ka mbetur i vrarë rreshteri  i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë në këtë dy vjetor ka reaguar duke bërë thirrje për drejtësi.

“Ne vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë sulmit,” thuhet në reagimin e ambasadës.

Kjo ambasadë e ka vlerësuar profesionalizimin e Policisë së Kosovës për rivendosjen e rendit më 24 shtator 2023.

“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë arrestuar dhe sjellë para drejtësisë, dhe ne përsërisim thirrjen ndaj autoriteteve serbe që të veprojnë sa më shpejt,” thuhet më tej në reagim./21Media

Back to top button