Dyshohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare, arrestohen tre persona

Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të postës në Kaçanik, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Sipas Policisë, personat me inicialet R.L, K.Z dhe A.Ç, të gjithë zyrtarë të postës, në vazhdimësi kishin manipuluar në librin e dorëzimit të dërgesave të regjistruara të zyrës postare dhe në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve.

“(R.L.), (K.Z.) dhe (A.Ç.) zyrtarë të postës – dega në Kaçanik, gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi nga 01.12.2022 deri 31.12.2022, kishin manipuluar në librin e dorëzimit të Dërgesave të Regjistruara të kësaj Zyre Postare, me dyshimin se në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve. Në këtë mënyrë personat e dyshuar të lartcekur me iniciale- Zyrtarë të Postës së Kosovës, kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës”, është bërë e ditur në njoftimin e Policisë.

Lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj duke bërë të ditur se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

“Duke mos respektuar kriteret dhe rregullat për dhënien e kartelave, kanë nënshkruar në fletë-kthesat se kinse konsumatorët kanë pranuar kartelat bankare edhe pse të njëjtat nuk janë shpërndarë”, ka thënë Prokuroria.

Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Back to top button