E godet të dashurën me shufër metalike në kokë

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 19:00 është ndaluar i dyshuari me inicialet L.Z. për shkak se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 24 janar në fshatin Kufcë të Gjilanit, i dyshuari L.Z., për shkak të një mosmarrëveshjeje me dashje dhe në vazhdimësi ka përdorur forcën ndaj të dashurës së tij, tani të dëmtuarës A.I.

“Pasi me veturë shkojnë në dalje të fshatit, me një shufër metalike, e godet në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe një ditë më pas, duke shkuar në drejtim të Prishtinës, i njëjti prapë përdor dhunë fizike ndaj saj, duke e goditur disa herë me grushte në kokë dhe trup, me ç’rast me të arritur në Prishtinë, e dëmtuara arrin që të ikë nga i dyshuari. I njëjti me veprimet e tij, i ka shkaktuar të dëmtuarës lëndime trupore, për të cilat është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë dhe në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan. Në këtë mënyrë, dyshohet se i njëjti, në vazhdimësi ka kryer veprën penale, ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, është bërë e ditur në njofitmin e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj të dyshuarit sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan./21Media

Back to top button