Tre policët e liruar nga paraburgimi arrijnë në Kosovë

(Lajm i përditësuar)

Tre policët kosovarë të liruar nga gjykata në Krilevë kanë arritur në Kosovë.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi janë pritur nga kolegët e tyre në pikën kufitare në Merdarë.

Në pamjet e siguruara nga RTV21, shihen policët duke përshëndetur me dorë teksa largoheshin nga pika kufitare.

Askush nga institucionet nuk ka dalë që t’i presin policët e rrëmbyer, përveç zëdhënësit të PK-së, Baki Kelani.


Tre policët e rrëmbyer nga Serbia, do të mbrohen në liri

Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan sot.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ambasadori Jetish Jashari dhe stafi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në këtë proces, tashmë janë duke finalizuar procedurat formale për të mundësuar kthimin e tyre në Republikën e Kosovës te familjet e tyre.

Policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi do të mbrohen në liri.

“Sipas avokatëve mbrojtës, në këtë seancë, Gjykata e Lartë e Kralevës ka konfirmuar Aktakuzën e Prokurorisë së Lartë të Kralevës ndaj tre oficerëve policorë, ku ngarkohen për kryerjen e veprës penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese,” sipas nenit 348, paragrafi 4, të lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodi Penal të Serbisë. Prokurori nuk ka kërkuar që oficerëve policorë t’u vazhdohet paraburgimi, që Gjykata e ka pranuar, ku si rrjedhojë, u është lejuar të mbrohen në liri, respektivisht të kthehen në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje MPJD ka theksuar edhe njëherë se rrëmbimi i policëve në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht. “Siç edhe është dëshmuar me prova të qarta, policët kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke kryer detyrën e tyre”, thuhet në komunikatë.


E konfirmuar/Lirohen tre policët që ishin rrëmbyer nga forcat serbe

Tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe janë liruar me vendim të Gjykatës në Kralevë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.

Ai tha se vendimi është marrë dhe tani po pritet të lirohen.

Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, ishin rrëmbyer më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

Të njëjtit dolën sot sërish para Gjykatës së Kralevës në Serbi, ku edhe u mor vendimi për lirimin e tyre.


Tre policët e rrëmbyer sot pritet të dalin para gjykatës

Sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka njoftuar se janë nisur për në Kralevë, aty ku sot do të dalin para gjykatës tre policët që janë rrëmbyer nga autoritetet serbe në territorin e Kosovës, më 14 qershor.

Haxholli ka thënë se çdo sekondë e humbur deri në kthimin e policëve në Kosovë, konstituon, sipas tij, me një sjellje joracionale me qëllim kamuflimin e një akti bizar përmes një drejtësie me kut e standard mesjetar.

“Rrugës drejt Kralevës, ku para një gjyqi pritet të dalin përsëri tre policët Rifat Zekja, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi. Çdo sekondë e humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje joracionale me qëllim kamuflimin e një akti bizar përmes një drejtësie me kut e standard mesjetar. Lirimi i menjëhershëm i tyre është Sine Non Qua!”, shkruan Haxholli në “Facebook”.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi po qëndrojnë në paraburgim. Sipas Ministrisë së Jashtme ata po akuzohen për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”./21Media

Back to top button