Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm: Gjendje alarmante në MPJD, po shkelet Kushtetuta

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) përmes një komunikate për media kanë reaguar për sic thonë ata shqetësimin e vet lidhur me veprimet brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të cilat sipas SHSASHJ sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mos-diskriminimit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm.

“SHSASHJ sërish njofton publikun për shkeljet e legjislacionit në fuqi – kushtetutës, ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore – nga udhëheqësit kryesorë të MPJD-së: Ministrja, Zëvendësministrja dhe Zëvendësuesi i sapoemëruar i Sekretarit të Përgjithshëm (tashmë i emëruar Sekretar i Përgjithshëm me konkursin e hapur enkas për të).”,

Në përpjekje për t´i shmangur pasojat ligjore, para pak javësh Ministrja e zhvendosi z. Behar Isma nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm – të cilën pozitë e mbajti si zëvendësues mbi dy vjet – në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Departamentit Ligjor në MPJD. SHSASHJ ka kërkuar opinion nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Ndërkohë, z. Ilir Muçaj u instalua në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, zyrtar i sapo-transferuar në MPJD në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit (një nivel më ultë se pozita e Drejtorit të Departamentit[1]) nga Zyra e Kryeministrit ku mbajti pozitën “Shef i Divizionit për Energji, Mjedis dhe Transport”. Edhe paraardhësi z. Behar Isma kishte qenë Shef i Divizionit në ish-Ministrinë e Diasporës para se të emërohej në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD.”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate

“Z. Muçaj, në aktivitetin e vet të parë zyrtar në pozitën e re e vërtetoi se nuk e ka problem mosrespektimin e legjislacionit. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm, formoi një komision për ti graduar në mënyrë të paligjshme madje me disa grada përnjëherë paraardhësin e tij z. Behar Isma dhe Drejtorin e Departamentit të Financave z. Mizbah Mustafa. I gjithë procesi u zhvillua nën masa të rrepta fshehtësie, duke iu mohuar mundësitë e barabarta zyrtarëve të MPJD-së, pra duke mos iu dhënë mundësia e shprehjes së interesimit për gradim. Komisioni për grada dhe disiplinë kërkohet që të mblidhet dy herë në vit, por nuk është thirrur për vite të tëra. Një numër i konsiderueshëm i diplomatëve janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre në misione me grada të njëjta, disa janë pranë pensionimit, e disa të tjerëve nuk iu është dhënë asnjëherë mundësia për të shërbyer jashtë vendit në mungesë të gradave.”, vijon reagimi.

Sipas SHSASHJ  në muajt e fundit, Ministrja ka lëshuar “vendime sporadike për përfundim mandati, ndërprerje mandati para afatit të përcaktuar ligjor apo transferim nga një mision në tjetrin pa asnjë bazë ligjore – aq më pak strategji.”

“ Në të njëjtën kohë, disa të tjerë i mban nëpër misione me dy e më shumë mandate (në të njëjtin vend) apo ka dërguar në mision jashtë vendit pa e kaluar së paku periudhën kohore të përcaktuar me ligj të shërbimit në MPJD dhe pa gradë diplomatike. Këto ndërhyrje mikromenaxheriale të nivelit të Ministres që vijnë edhe si rezultat i qëndrimit joprofesional karshi mbrojtjes së interesave të punëtorëve të MPJD-së në pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, po dëmtojnë sistemin e diplomatëve të karrierës dhe të zyrtarëve që punojnë në MPJD. Tanimë është bërë e pamundur të planifikohet jeta e një diplomati dhe familjarëve të tyre me të gjitha këto lëvizje dhe në kundërshtim të praktikave ndërkombëtare.”, thuhet në reagim.

Sipas komunikatës në MPJD së paku katër departamente (Diplomaci Ekonomike, Diplomaci Publike, Diasporë, Akademia Diplomatike) faktikisht menaxhohen nga pozita politike e Zëvendësministres dhe stafi i vet i kontraktuar përmes fondeve të siguruara nga donatorët e jashtëm me persona që paguhen 2-3 fish më shumë se paga e zyrtarëve publikë në MPJD, persona që kanë qasje në shumë dokumente por në shumicën e rasteve kanë mungesë të verifikimit paraprak nga AKI. “Si rezultat i mungesës së respektimit të parimeve të përcaktuara me ligj si për shërbyes civil ashtu edhe për shërbimin e jashtëm, zyrtarët e MPJD-së po inkurajohen të kërkojnë forma tjera të karrierës duke përfshirë edhe dorëzimin e kërkesave për pushim pa pagesë. Ky fenomen po krijon vakum në cilësinë institucionale.”

“Së fundmi është përgatitur një draft-projektligj për Shërbimin e Jashtëm. I njëjti nuk dihet se nga kush është përgatitur, është mbajtur në fshehtësi absolute, dhe pa dalë fare në konsultim me diplomatët apo zyrtarët e MPJD-së është dërguar për konsultime tek ministritë tjera.

Në vitet e fundit, më shqetësuesja është se menaxhmenti i MPJD-së po refuzon zbatimin e Vendimeve të KPMSHCK-së dhe të Gjykatave të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe Vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar kështu, pa asnjë pasojë ligjore dhe pa asnjë hetim nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, menaxhmenti i MPJD-së po e konsideron veten të paprekshëm para ligjit, ndërkohë që zyrtarët po e pësojnë.”, thuhet në reagim.

SHSASHJ thotë se  ka ofruar ekspertizën e vet për të ndihmuar në avancimin e shërbimit të jashtëm, duke ofruar bashkëpunim profesional. “Por e gjendur përballë këtyre shkeljeve shfrytëzon mekanizmin e vetëm demokratik për të informuar opinionin publik dhe për të alarmuar instancat përgjegjëse për intervenim urgjent e të menjëhershëm.”

 

 

 

Back to top button