E kujtoj mësuesin

Poezi nga autori i njohur shqiptar
Agim Vinca (22.5.1947, i lindur në Veleshtë – Strugë) është njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe.
Përveç krijimeve letrare në poezi, ka botuar një numër të madh punimesh nga fusha e kritikës letrare, por edhe një varg studimesh me karakter historiko-letrar. Bibliografia e shkrimeve të dr. Agim Vincës është tejet e gjerë. Ajo përfshin mbi 500 njësi: recensione, ese, kritika, trajtesa, studime, shkrime polemike e publicistike etj./21Media
E kujtoj mësuesin
Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.
I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.
Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»
Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.
Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.
Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.
Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.

Back to top button