BE dhe NATO me mesazhe të koordinuara për Ballkanin

Mogerini: “Bashkëpunojmë fuqishëm në mesazhet që i dërgojmë“

Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian Federika Mogerini, tha se Bashkimi Evropian dhe NATO po i koordinojnë qëndrimet e tyre në mesazhet që po i dërgojnë Ballkanit.

Këto komente shefja e Bashkimit Evropian i bëri në Bruksel, pas mbërritjes në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Ajo njoftoi po ashtu se bashkë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg do të mund ta vizitojnë rajonin në vjeshtë, shkruan rtv21.tv

Zyrtarja e lartë e BE-së, e tha këtë duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse ajo është e gatshme për një vizitë të përbashkët me Stoltenbergun në Ballkan dhe nëse ajo mendon se ata mund të avancojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon nëse hyjnë në një mision të përbashkët.

“Jemi duke u koordinuar mbi mesazhet e ndryshme që po i dërgojmë, përfshirë edhe ato drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ju duhet ta keni mbajtur në mend, gjatë vizitës time të fundit në rajon unë i kam vizituar gjashtë partnerët që i kemi në Ballkanin Perëndimor dhe në disa prej këtyre vendeve kam shprehur mesazhe të qarta edhe në emër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, sepse e kemi diskutuar situatën në terren më përpara dhe jemi pajtuar mbi disa linja të përbashkëta”, tha Mogerini.

“Jemi të gatshëm të zhvillojmë edhe vizita të përbashkëta, qoftë në Ballkan, qoftë në ndonjë vend tjetër. Pavarësisht agjendave të komplikuara që kemi, siç mund ta imagjinoni, po i shikojmë mundësitë që të zhvillojnë nj vizitë të përbashkët, që nuk do të thotë se do të filloj me Ballkanin, por që mund të jetë në vjeshtën e këtij viti”, tha Mogerini.

“E përsëris, kemi kontakte javore, dhe mendoj se jemi një epokë larg nga e kaluara kur ka mundur të ketë vështirësi të caktuara për të punuar së bashku. Tani bashkëpunimi është në normë dhe funksionon shumë mirë“, përfundoi shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian Federika Mogerini./21Media

Back to top button