E theri kamarierin me thikë pasi nuk i shërbeu birrë, një muaj paraburgim për të pandehurin
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji R.K i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
”Se më datë 11 nëntor, në orët e mesnatës në Prizren, në një lokal, për shkak të një ngatërrese rreth shërbimit në lokalin në fjalë, pasi i dëmtuari refuzon të shërbej të pandehurin R.K., me pije – birrë, i njëjti e nxjerrë thikën, me dashje ndërmerr veprim me qëllim të vrasjes, me thikë e ther në bark të dëmtuarin dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e së cilës viktima dërgohet në emergjencën e spitalit të Prizrenit dhe e më pas dërgohet në QKUK- në Prishtinë në tretman urgjent mjekësor. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, bëhet e ditur në komunikatë.
Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes dhe se prezenca e tij është siguruar në mënyrë të dhunshme nga ana e zyrtarëve të policisë.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media