Edhe 12 “viktima” marrin pjesë në gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve

Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte, janë pranuar edhe 12 persona që gjykata i ka cilësuar si viktima, për të marrë pjesë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet ndaj tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ka prova ‘prima facie’ se viktimat 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/ 06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59/06, kanë pësuar dëme si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të pretenduara në aktakuzën e ndryshuar dhe i pranon ato si viktima pjesëmarrëse në procedurë.
Në këtë vendim thuhet se të gjithë aplikantët janë viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në lokacionet e identifikuara në aktakuzën e ndryshuar dhe krimet e supozuara bien brenda fushëveprimit kohor të akuzave siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar në lidhje me secilën prej vendndodhjeve.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor./21Media

Back to top button