Trepça-Ylli, sonte zhvillohet sfida e dytë, interesim i madh për bileta

Sonte do të zhvillohet finalja e dytë e Play-off-it mes Trepçës dhe Yllit. Ndeshja zhvillohet nga ora 20:30 në Mitrovicë.
Përballjen e parë e fituan therandasit me rezultat 63:62, me tre pikëshin në fund nga Henrik Sirko, ndërsa skuadra që shënon tri fitore shpallet kampion i Kosovës.
Këto dy skuadra kishin përfunduar garat e rregullta, në pozitën e parë, përkatësisht të dytë.
Në garat e rregullta u përballën katër herë, duke shënuar nga dy fitore ndaj njëra-tjetrës, që tregon për rivalitetin e madh, që kanë pasur në këtë edicion.
Ylli synon mbrojtjen e titullit, që do të ishte titulli i dytë i Kosovës në histori të klubit, kurse mitrovicasit shpresojnë të fitojnë titullin pas një dekade.
Ylli në gjysmëfinale të Play-off-it kishte mundur Prishtinën 3:0, kurse ‘Xehetarët’ eliminuan Pejën me seri prej 3:1.
Interesimi për blerjen e biletave për të parë këtë ndeshje në palestër mësohet se është i madh. Në pikat e shitjes së biletave është parë numër i madh i të interesuarve, madje në disa raste është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë për të ruajtur rendin dhe qetësinë.

Back to top button