Edhe këtë verë do të ketë patrullime të përbashkëta në Shqipëri

 
Edhe këtë vit, Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për organizimin e patrullimeve të përbashkëta gjatë sezonës së verës në zona turistike.
Në ceremoninë e sotme, u kërkua që kjo marrëveshje të përfshijë edhe patrullimet e forcave të rendit të Shqipërisë në qytete të Kosovës, si Prizren e Gjakovë.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, është shprehur i lumtur që po vazhdon tradita e një marrëveshje të tillë mes dy vendeve.
“Mirë se keni ardhur dhe sinqerisht ndihem shumë mirë, që mbas vizitës që ne zhvilluam muajin e kaluar në Prishtinë, ju e gjetët kohën dhe mundësinë që t’i përgjigjeshit edhe kërkesës tonë, që ne mbas një situate jashtëzakonisht të vështirë që Shqipëria dhe Kosova kaloi me pandeminë e COVID-19, gradualisht po i kthehemi realitetit ku të kontribuojmë jo vetëm për forcimin e rendit e sigurisë në dy vende, por dhe të ndikojmë pozitivisht në nxitjen dhe mbështetjen e zhvillimit që po i japim turizmit në vendin tonë. Në rastin konkret është firmosja, vazhdimi i traditës prej disa vitesh i firmosjes së memorandumit apo marrëveshjes së përbashkët në lidhje me ardhjen e patrullave policore të Policisë së Kosovës në mbështetje të strukturave të Policisë së Shqipërisë dhe më konkretisht në ato të Policisë Rrugore”, tha Veliu.
Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se policët e dy vendeve kanë shkëmbyer përvojat më të mira deri më tani.
“Është nder, është privilegj, është kënaqësi të jem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, për të nënshkruar një marrëveshje të tillë. Policët tanë kanë operuar së bashku me kolegët e tyre shqiptarë dhe kanë shkëmbyer përvojat e tyre më të mira të mundshme, kanë shkëmbyer informacione, janë lidhur edhe ura miqësie edhe ura vëllazërie mes tyre. Ata edhe sot e kësaj dite mbajnë kontakte me njëri-tjetrin, që për neve është shumë e rëndësishme”, tha Mehmeti.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, i cili ka propozuar që këtë vit të kemi edhe policë shqiptarë nëpër qytetet si Prizreni e Gjakova.
“Është e rëndësishme që të ketë siguri të përbashkët për qytetarët tanë që vijnë me pushime, është një ngarkesë shumë e madhe e trafikut këto ditë dhe po ashtu që të jemi bashkërisht në sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së tyre. Kërkesa jonë gjithnjë ka me qenë që ata që vijnë me pushime nga një gazmend, nga një kënaqësi që e kalojnë mos të kthehet në tragjedi dhe me mbet pjesë e rrugëve. Prandaj ky memorandum i bashkëpunimit është i mirëseardhur, por në të njëjtën kohë unë kisha për të propozuar që të kemi edhe policë shqiptarë që të kishin dalë nëpër Prizren, nëpër Gjakovë, vijat kufitare ose diku atje që del, dhe atje të njihet prezenca e Policisë shqiptare”, tha Hasani.
Kujtojmë se tanimë është kthyer në traditë nënshkrimi i një memorandumi të tillë mes dy vendeve.

Back to top button