Edhe Krasniqi në Turqi, takohet me zëvendësministrin e Jashtëm

Në Forumin Diplomatik të Antalisë ka marrë pjesë edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Përmes një postimi Krasniqi ka bërë të ditur se gjatë këtij forumi, para hapjes zyrtare nga Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, ai u takua me zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, ku diskutuan Zhvillimet në Kosovë, rajon dhe Evropë.

“Sot, në ditën e parë të pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalisë, para hapjes zyrtare nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan, takova zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, mikun tim Mehmet Kemal Bozay. Zhvillimet në Kosovë, rajon dhe Evropë, ishin tema të diskutimit tonë, për të cilat shkëmbyem pikëpamjet tona”, ka shkruar Memli në “Facebook”.

Tutje, Krasniqi ka thënë se ka falënderuar zëvendësministrin, Kemal Bozay për mbështetjen e vazhdueshme në të gjithë sektorët dhe të gjitha etapat e shtetndërtimit.

“Zëvendësministrin Kemal Bozay e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në të gjithë sektorët dhe në të gjitha etapat e shtetndërtimit të vendit tonë – përfshirë kontributin e çmuar në fushën e sigurisë, tashmë edhe përmes udhëheqjes së misionit të KFOR-it. Kosova ka nevojë edhe për përkrahjen e Turqisë tek shtetet e ndryshme, për t’i bindur që të njohin Kosovën, por edhe në forumet ndërkombëtare, për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës, posaçërisht në NATO dhe në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, ka shtuar se populli i Kosovës mbetet i përkushtuar për të ruajtur dhe kultivuar më tutje aleancat e fuqishme, përfshirë edhe atë me Turqinë.

“Zëvendësministrin Mehmet Kemal Bozay e sigurova që, përtej veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë, populli i Kosovës dhe ne mbesim të përkushtuar për të ruajtur dhe kultivuar edhe më tutje aleancat tona më të fuqishme, përfshirë atë me Turqinë”, përfundon Krasniqi.

Kujtojmë se pjesë e këtij formi janë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla./21Media

Back to top button