Edhe LDK-ja e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

(Lajm i përditësuar)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, i miratuar së fundi në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i deputetëve Arben Gashi tha se kanë kërkuar që ligji në tërësi të shpallet antikushtetues.
“Vlerësojmë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës që është Marrëveshja për Stabilizim Asocimin dhe po ashtu është në kundërshtim me ligjet e tjera. Prandaj vlerësojmë se edhe në përmbajtje edhe në frymë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës po ashtu është edhe në shkelje të procedurave dhe rregullave të Kuvendit të Kosovës. Prandaj ne vlerësojmë që ky ligj vendimi për këtë ligj që do të merret nga Gjykata Kushtetuese do të jetë që ligji është antikushtetues”, tha Gashi.
Hoti argumenton pse Gjykata Kushtetuese duhet ta shfuqizojë Ligjin për Zyrtarët Publikë
Avduallah Hoti ka bërë të ditur se LDK të premten do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, i miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës.
Për deputetin e LDK-së, një vendim i tillë buron nga fakti se Ligji, sipas LDK-së, shton ndikimin politik në rekrutim, transferim dhe ngritje në detyrë për shkak se hiqet sistemi i karrierës punësimi bëhet me mandat dhe futet rekrutimi i jashtëm për pozitat drejtuese.
“Pozitat drejtuese që kanë kontrata të përhershme i nënshtrohen konkursit, e cila gjë bie ndesh me parimin e ‘të drejtave ligjore të fituara’, siç përcaktohet me ligjin në fuqi dhe praktikën gjyqësore ndërkombëtare të shërbimit civil ku rregullat nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë”, ka shkruar Hoti në rrjetin e tij social në “Facebook”.

Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës, sot e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë./21Media

Back to top button