Edhe në seancën e 13 VV dështon ta ndryshojë mënyrën e votimit, deputetët mblidhen të dielën

(Lajm i përditësuar)



Veç 56 vota, VV dështon prapë për ta bërë votimin e fshehtë për Kryetar Kuvendi

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar edhe në seancën e sotme që të ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në të fshehtë.

Partitë sërish janë deklaruar kundër dhe nuk kanë propozuar anëtarë për Komision. Në sallë ishin 113 deputetë.

“56 vota për, një deputet ka votuar kundër dhe asnjë abstenim”, deklaroi Dehari.

Pas dështimit të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën.

Kandidatja e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

Përpjekja tjetër për konstituim vazhdon të shtunën, në 10:00.


Gërvalla beson se ka njerëz në LDK që do ta shtynë Abdixhikun të ndërrojë qëndrim ndaj VV-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, është shprehur optimist se ka njerëz në LDK që do ta rrisin presionin nga kryetarit Lumir Abdixhiku që të ndërrojë qëndrim karshi LVV-së dhe të pranojë ftesat e tyre për bashkëpunim.

“Dua ta besoj, brenda LDK-së dhe jashtë saj, ka ende njerëz që mendojnë përtej interesit personal, do ta rrisin presionin nga kryetarit Abdixhiku që LDK-ja të bëjë lëvizje pozitive në të mirë të Kosovës”, ka thënë Gërvalla të premten pasi dështoi përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit.

Në prononcim për media, Gërvalla ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më parë, duke theksuar se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç ecjes përpara me proceset institucionale.

“Është krejt i pakuptueshëm vazhdimi i kësaj bllokade. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka alternativë”, ka deklaruar Gërvalla, duke akuzuar opozitën për pengimin e qëllimshëm të formimit të institucioneve.


​Limaj kundër zgjedhjeve të reja

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur kundër zgjedhjeve të reja. Sipas tij, Kosovës i duhen sa më parë institucionet e reja.

Limaj tha të premten, më 9 maj, se sa më shpejt duhet një qeveri në punë, e cila sipas tij i jep dinamikë dhe impuls të ri ekonomisë.

“Po shpresoj që po harxhohen gjitha këto mundësi, eksplorime që janë duke i bërë forcat politike, momenti është me i thirr përgjegjësisë, të gjithë duhet të kuptojnë se institucionet kosovare urgjent duhet me i pas, bota, rajoni rreth neve është në trazim. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë të mbetet kështu sa më shpejt na duhen institucionet. Sa më shpejt na duhet një qeveri në punë, e cila i jep dinamikë dhe impuls të ri ekonomisë. Gjendja ekonomike kurrë më keq nuk ka qenë, duhet urgjentisht të marrim përgjegjësi pra të rilëvizur ekonominë e Kosovës, diplomacinë e Kosovës dhe shtetit t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë”, tha ai.

“Çka është kjo daum të shkojmë në zgjedhje, na kanë zgjedhur për t’i zgjedhur institucionet. Duhet të bashkëbisedosh, të ulesh dhe të tentosh me gjetë marrëveshje me atë që nuk pajtohet, me atë që pajtohesh nuk ka nevojë për marrëveshje”, shtoi ai.

I pari i Nismës ofroi mbështetjen e tij si parti për të kaluar këtë ngërç politik, por shtoi se forca që ka kjo parti nuk mund ta zhbllokojë situatën.

“Nuk kemi pas ftesa nga askush, unë pres që në këtë frymë forcat politike të jenë të përgjegjshme dhe të kryejnë misionin që e kanë para votuesve të vetë. Nisma në këtë drejtim do ta jap kontributin e vetë sipas mundësisë që e ka. kaq kemi fuqinë tonë politike, kaq kemi mundësinë, dhe në këtë masë që e kemi do të jemi të përgjegjshëm. Jo kështu sprovimi deri në limit të taktikave ose durimeve, të cilat besoj duhet tu jepet fund, njerëzit janë zgjedhur për t’i zgjedhur institucionet, Nuk zhbllokohet me votat tona kjo situatë dhe ju e dini, duhen forcat politike që kanë forcë të madhe në këtë vend”, theksoi ai.


Bajrami e LDK-së: Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, fletëvotimi duhet t’i ketë dy opsione, Kosova apo Albulena Haxhiu

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka reduktuar gjithë situatën politike në emrin e Albulena Haxhiut dhe se duan ta bëjnë kryetare të Kuvendit pa i pasur votat.

Ajo ka deklaruar se po shihet se situata po shkon drejt zgjedhjeve të reja si rezultat i qëndrimit të LVV-së dhe thotë se nëse do të shkohet në zgjedhje, fletëvotimi duhet të ketë vetëm dy alternativa, Kosova apo Albuelna Haxhiu.

“Po shihet që po shkojmë drejt zgjedhjeve, në fletëvotim duhet të jetë i thjeshtë, Kosova apo Albulena Haxhiu. S’ka luftë idesh, konkurrencë programesh, s’ka përpjekje për të zgjidhe problemet nga partia që ka fituar shumicën e votave në Kuvend, por ata kanë një hall si ta vendosin në krye të Kuvendit një person që assesi s’po i merr votat e deputetëve”, ka thënë Bajrami.


Gërvalla: Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën, mundësitë janë për ta zhbllokuar që sot

Deputetja e LVV-së, Donika Gërvalla ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën, ku shton se mundësitë janë për ta zhbllokuar që sot.

Për dërgimin e letrës të Albin Kurtit tek LDK, ajo tha se nuk është marrë parasysh.

“Ne përsëri sot bëmë edhe një tentativë për të zhbllokuar procesin se tashmë është krejt i pakuptueshëm.
Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën, mundësitë janë për ta zhbllokuar që sot, por nuk u zhbllokua.
Keni qenë dëshmitar të letrës që kryeminstri i ka dërguar LDK-së nuk është marrë parasysh, përkundrazi ka ardh një propozim absurd i cili ta kujton vitin 1999 kur Kosova e sapo dal nga lufta do duhej të gjente zgjidhje tranzitore. Kosova është një demokraci e konsoliduar europiane, një demokraci stabile”, tha Gërvalla. /21Media


Kadrijaj: Për shkak të ndryshimit në mes të zgjedhjeve të formës së votimit, ne do ti adresohemi Gjykatës Kushtetuese

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se AAK për shkak të ndryshimit në mes të zgjedhjeve të formës së votimit, ka mbledhur nënshkrimet për adresim në Gjykatën Kushtetuese.

Ky adresim në Gjykatës Kushtetuese sipas Kadrijaj ka të bëjë për shkeljen ligjore të votimit të fshehur.

“Ne si Aleancë, për shkak të ndryshimit në mes të zgjedhjeve të formës së votimit, nga votimi i hapur në votim të fshehur, ne kemi mbledhur nënshkrimet do ti adresohemi gjykatës kushtetuese për këtë shkelje ligjore dhe për këtë shkelje kushtetuese dhe të hënën ne do e dorzojmë në gjykatën kushtetuese këtë shkelje që po bëhet”, tha ajo. /21Media


Bajrami: Të hënën do e dërgojmë një kërkesë te ZRRE për anulimin e dy vendimeve për ngritjen e çmimit të rrymës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka deklaruar se deputetët do të dërgojnë të hënen kërkesë tek ZRRE për anulimin e dy vendimeve.

“Si deputet nënshkrues të hënën do e dërgojmë një kërkesë të ZRE për anulimin e dy vendimeve, anulimin e vendimit për të hyrat maksimale të lejuara për operatorët e energjisë elektrike e cila ka rezultuar në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në 16.1%, në mënyrë që të ndalojmë një valë të re të inflacionit dhe gjithashtu vendimin tjetër për detyrimin e 1300 kompanive për të dalë në tregun e hapur, kinse ne tregun e lirë në tregun konkurrues i cili më lejoni të ju informoj që nuk egziston në Republikën e Kosovës”, tha ajo. /21Media


Dehari ia ndërpret fjalën Hykmete Bajramit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se Avni Dehari nuk ka dhënë fjalën për shprehje në Kuvend, teksa shton se LDK nuk i ka vota për ndryshimin e mënyrës së votimit

“Dehari nuk na dha as fjalën që të shprehemi në kuvend, si LDK nuk kemi vota për ndryshimin e mënyrës së votimit”, tha ajo. /21Media


Krasniqi: Haxhiu tashmë 13 herë po dihet që as nuk i ka as nuk do ti ketë votat

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se po dihet se Albulena Haxhiu nuk i ka votat tash e 13 herë përpjekje për kryetare të Kuvendit.

Teksa shton se PDK shpreh vullnetin për të insistimin për daljen nga bllokada e Kuvendit.

“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës shprehim vullnetin tonë të konfirmuar sa e sa herë për insistimin që të dalim nga bllokada të cilën na e ka sjell partia e parë dhe të zgjedhim kryesusin e Kuvendit duke përfshirë kryetarin e kuvendit përmes propozimit të një kandidati që vërtetë e merr shumicën e votave sepse Zonja Haxhiu tashmë 13 herë po dihet që as nuk i ka e as nuk do ti ketë votat për kryetare të Kuvendit”, tha Krasniqi. /21Media


Dehari hedh në votim sërish Komisionin zgjedhor

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës me 113 deputetë të pranishëm.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka hedhur në votim Komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Ftoj subjektet që nuk kanë propozuar kandiatitët e tyre t’i propozojnë”.

Në foltore doli deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tentoi të fliste, por Dehari ia ndali fjalën, duke thënë: “Nuk ka diskutime, vetëm propozime”.


Dështoi përpjekja e 13-të për konstituimin e Kuvendit

Dështoi seanca e 13-të e Kuvendit.

Seanca e radhës shtyhet me 11 maj në ora 10:00. /21Media

 


Fillon seanca e 13-të e Kuvendit

Ka filluar me 20 minuta me vonesë seanca e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari i shoqëruar nga deputetja më e re, Sala Jashari. /21Media


​Peci për një takim të mundshëm nga Osmani: Përveç ftesës është e rëndësishme edhe përmbajtja

Kryetar i Listës Guxo, Faton Peci tha se do të bëhet përpjekje sërish që të themelohet Komisioni i cili do të verifikojë votat për kandidaten e propozuar për kryetare të Kuvendit.

Para gazetarëve, deputeti Peci tha se në “çdo në seancë vijnë me vullnet dhe shpresë se partitë opozitare do të reflektojnë në qëndrimet e tyre”.

Ai po ashtu komentoi deklarimin e shefes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ku kishte thënë se “nuk do ta votojnë asnjë propozim të LVV-së për kryeparlamentar”.

Peci tha se në këtë rast nuk është problemi tek emri i Albulena Haxhiut.

Sipas tij, Bajrami bëri shkarje kur tha se “prej 13 tentimeve është dashur të provohen 48 emra”, ngase sipas tij nuk mund të bëhet një gjë e tillë.

“Ne çdo ditë vijmë me vullnet pozitiv, me shpresë që partitë tjera opozitare do të reflektojnë për nevojën dhe domosdoshmërinë që Kosova të ketë institucione, në radhë të parë duke konstituar Kuvendin. Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të themelojmë komisionin i cili do ta ketë mandatin të verifikojë votat për kandidatin tonë për kryetare të kuvendit…Sa i përket emrit, mbrëmë e kam parë në emisionin Politiko një fragment të emisionit të Shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, mendoj se ishte korrekte dhe e sinqertë. Ajo deklaroi që për asnjë emër që është propozim i LVV-së, ata nuk do ta votojnë. Rrjedhimisht gjithë kjo zhurma ose tentative që ta identifikojnë Albulena Haxhiun si problem, nuk është problemi…Vetëm se bëri një shkarje, se tha prej 13 tentimeve është dashur të provohen 48 emra. 48 emra a nuk provohen përmes 13 tentimeve”, tha Peci.

Përveç kësaj, Peci tha se nëse ftohen për takim nga presidentja, me rëndësi është se si do të jetë përmbajtja e ftesës.

“Institucioni i presidentit është institucion mbi partiak dhe nuk vihet aty kushte se kush merr pjesë ose kush nuk merr. Presim që nëse vije ndonjë ftesë e tillë. Përveç ftesës është e rëndësishme edhe përmbajtja”, tha Peci.

Peci u pyet edhe rreth reagimit të tij mbrëmë në Facebook, për çka tha se “të pavërtetat dhe shpifjet do të përfundojnë në padi”.

“Këtu jam për të marrë pjesë në një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën. Nuk dua të debatoj sepse kam dalë dhe kam dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme dhe rrjedhimisht të gjitha të pavërtetat dhe shpifjet e radhës do të përfundojnë në padi për shpifje në ditët në vazhdim”, potencoi Peci.

Deputetët do të tentojnë edhe sot ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës në vazhdimin e seancës e cila pritet të nis në ora 10:00.

Ata të mërkurën kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish pati insistuar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi që LVV-ja, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrijnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiun.


Limaj: Nisma Socialdemokrate nuk mund të marrë pjesë në një votim që është në kundërshtim me praktikat parlamentare

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha për RTV21 se Nisma Socialdemokrate nuk mund të marrë pjesë në një votim që është në kundërshtim me praktikat parlamentare.

Teksa shton se në këtë proces presidentja Osmani nuk ka ndonjë rol të veqantë për të luajtur.

“Kemi thënë prej fillimit, Nisma Socialdemokrate nuk mund të marrë pjesë në një votim, që është në kundërshtim me praktikat parlamentare besoj që të gjithë duhet ti respektojmë praktikat parlamentare. Sigurisht që do ti përgjigjemi presidentes, po nuk e di se sa ka rol tani në këtë proces unë mendoj që presidentja në këtë situatë, në këtë moment nuk ka ndonjë rol të veqantë për të luajtur dhe ju e dini parlamenti është institucioni më i lartë, duhet të kemi kujdes”, tha Limaj. /21Media


Bajqinovci: Bllokadën është duke e bërë opozita, jo Lëvizja Vetëvendosje

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci për RTV21 ka deklaruar se bllokadën e Kuvendit është duke e bërë opozita dhe jo LVV.

Sipas tij reflektimi duhet të vie nga opozita.

“Nuk ka si të veproj do ta bëjmë prezantimin ashtu sic e kemi bërë edhe më herët, kandidaten tonë qysh e thot edhe kushtetuta që partia më e madhe në vend e propozon emrin, në këtë rast është Albulena Haxhiu, do ta procedojmë më tutje po presim që të reflektoj opozita. Mendoj që bllokadën është duke e bërë opozita jo Lëvizja Vetëvendosje dhe në këtë rast reflektimi duhet të vij nga opozita, dhe të na lejoj ta bëjmë ashtu sic e thot kushtetua kandidatin tonë në këtë rast Albulena Haxhiu”, tha ai. /21Media


Bajrami: LDK-ja i ka qëndrimet e qarta, presim të reflektoj VV

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami ka deklaruar për RTV21 se LDK i ka qëndrimet e njëjta sa i përket zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Ajo shpreson se LVV të ketë reflektim.

“LDK-ja i ka qëndrimet e qarta, tani më dihet ne po shpresojmë dhe po bëjmë thirrje që LVV të reflektoj, ata nuk mund të përsërisin veprimin e njejtë dhe të presin rezultat ndryshe, ne nuk jemi pro ndryshimit të mënyrës së votimit sepse tani jemi më në proces dhe gjithashtu nuk kemi vota për zonjën Haxhiu”, tha Bajrami. /21Media


Haradinaj: Kemi përgaditur një kërkesë që do të ja adresojmë Gjykatës Kushtetuese, për vendimet që kanë ndodhur në seancë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj për RTV21 ka thënë se kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve që një grup prej 10 deputetëve t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimet e marra gjatë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.


Lushaku-Sadriu: VV ka dështuar të formojë shumicën, propozimi i LDK-së është i qartë

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, është deklaruar para mediave pak para fillimit të seancës parlamentare, duke theksuar qëndrimin e partisë së saj për tejkalimin e situatës aktuale politike në vend.

Ajo ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është e hapur për dialog dhe e gatshme t’i përgjigjet çdo ftese që synon zhbllokimin e situatës aktuale.

“LDK-ja ka qëndrimin të njëjtë, ka dhënë një sugjerim se si do të mund të dilnim prej këtij ngërçi politik, kjo është një shpërfaqje vërtetë e një partie që ka dalë e para në zgjedhje, por nuk po arrin ta formojë shumicën, është vërtet e pakuptueshme qysh një partinuk po mundet me formu shumicën por kjo jep shpjegim që kjo parti përgjatë 4 viteve të kaluara ka dhënë shembull të keq bashkëpunimi nuk ka lënë hapësirë për partneritet dhe kjo duhet t’i shërbejë si mësim për të gjithë partitë po politike, por posaçërisht për Vetëvendosjen. Diskursi që është përdorur ka qenë jo i natyrshëm, jo normal për një parti politike, andaj duhet të duhet të marrim nismë njerëz gjithmonë. Ne kemi treguar që jemi për dialog dhe i përgjigjemi të gjitha ftesave institucionale për t’i ndihmuar zhbllokimin e këtij situate. Lidhja Demokratike ka pasur një propozim të qartë për një qeveri nacionale të tranzicionit e cila do t’i mundësonte Kosovës që të kalonte këtë fazë deri në zgjedhjet e ardhshme me një qeveri që do të kishte një mision të qartë, objektiva të qarta veprime, program njerëz unifiku


Murati thotë se edhe sot seanca vazhdon aty ku ka mbetur: Me votimin e Komisionit për votim të fshehtë

Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, pak para vazhdimit të 13-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës tha se seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me votimin e Komisionit për votim të fshehtë.

“Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar. Tani ka një bllokadë dhe barrikadim te opozita dhe insiston që të ndryshohet kandidati. Pra, që të mos respektohet e drejta kushtetuese e VV-së, në këtë rast si pari fituese e zgjedhjeve. Seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur, aty ku kemi mbetur është mungesa e kuorumit për vendimmarrje për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Është e pamundur që të dilet apo të ndryshohet nga kjo rrjedhë, sepse jemi në një situatë, ku herën e fundit sikur se dy apo tri herët më parë ka mungesë të kuorumit që po duhet të ndërpritet seanca, për shkak të kuorumit”, tha Murati.


Peci: Edhe po të ndërrohej kandidatja për kryeparlamentare, opozita prapë do të votonte kundër

Deputeti i VV-së, Faton Peci thotë se edhe sot do të vazhdohet me përpjkejen për zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të fshehtë, konkretisht me formimin e komisionit përkatës për këtë formë të votimit.

Sipas tij, edhe po të ndërrohej kandidatja e tyre për kryeparlamentare, opozita e deri tashme prapë do të votonte kundër.

Ai nuk bëri të ditur nëse koalicioni i tyre VV-Alternativa-Guxo do t’i përgjigjej pozitvisht ftesës eventuale të presidentes Osmani për takime me partitë.

“Në çdo ditë vijmë me vullnet pozitiv, me shpresë që edhe partitë tjera politike opozitare do të reflektojnë për nevojën dhe domosdoshmërinë që Kosova të ketë institucione, në radhë të parë duke konstitu Kuvendin e rrjedhimisht, i bie që ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të themelojmë komisionin, i cili do të do ta ka mandatin të verifikojë votat për kandidaten tonë për Kryetare të Kuvendit. Sa i përket emrit mendoj që mbrëmë e kam parë në emision Politiko, një fragment të emisionit të shefes së grupit parlamentar të LDK-së, mendoj që ishte korrekte dhe e sinqerta. Ajo deklaroj që për asnjë emër të Lëvizjes që është propozim i Lëvizjes Vetëvendosje ata nuk e votojnë. Rrjedhimisht gjithë kjo zhurma ose tentativa që me identifiku Albulena Haxhiun që është problemi, nuk është problemi, secili prej kandidatëve ose deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Guxo edhe Alternativë që potencialisht do të ishte në propozim ose nominim rrjedha e procesit të votimit të partive opozitare do të ishte e njëjtë. Mendoj se deklarimi i zonjës Bajrami ishte korrekt mbrëmë, deklaroj që asnjëherë në asnjë kandidat ne nuk e votojmë e për rrjedhimisht vetëm se bëri një shkarje, se tha prej trembëdhjetë tentimeve është dashtë të provohen katërdhjetë e tetë emra, 48 emra nuk provohen përmes 13 tentimeve.
Unë këtu jam për me marrë pjesë në një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Peci. /21Media


Konfirmon Dimal Basha: Haxhiu përsëri kandidate për kryetare Kuvendi!

Deputeti i VV-së Dimal Basha ka thënë se Albulena Haxhiu është serish kandidate për kryetare të Kuvendit.

Ndërsa ka thënë se opozita duhet ta zhbllokojë procesin.

“Presim me u zhblloku kuvendi. Qytetarët kanë votuar për parlament dhe presin një qeveri të re. Është e paarsyeshme, votimin e hapur e refuzojnë po ashtu dhe votimin e fshehtë. Kemi ofruar dhe koalicion dhe para qytetarëve kemi dal faqebardhë. Besoj që opozita e ka radhen me zhblloku kuvendin. Me kushtetutë na takon propozimi neve. Është e drejtë e jona. Sbesoj që z.haxhiu është problemi. Ata janë fut në një rrugë pa kry. Besoj që tash duhet ta zhbllokojnë”, ka thënë Basha para mediave sot.


12 dështime, përpjekje e re sot për konstitutimin e Kuvendit

Deputetët do të tentojnë edhe sot ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Ata të mërkurën kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.

Dehari i LVV-së kërkoi nga partitë politike të propozojnë emrat për formimin e komisionit verifikues por partitë e tjera nuk iu përgjigjen pozitivisht kësaj.

Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë.

Seanca u ndërpre në mungesë të kourumit për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në formë të fshehtë.

Për ndryshimin e formës së votimit të kryeparlamentarit kanë votuar vetëm 56 deputetë, një votë kundër, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim fare.

Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 9 maj.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi LVV-ja, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu.

Back to top button