“Edhe pa aminin e Ivanovit, do të ketë qeveri”

Xhaferi në takim me ambasadorët dhe gazetarët

Bashkimi Evropian kërkon sa më shpejt të formohet qeveria e re dhe shteti të kthehet në binarin drejt rrugës euroatlantike. Këtë kërkuan sot ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në vend gjatë takimit me kryeparlamentarin Talat Xhaferi. Xhaferi tha se prioritet numër një për të si kryetar kuvendi, është zgjidhja e Qeverisë së re dhe se Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov, ta respektojë kushtetutën pasi që bëhet fjalë për obligime institucionale, dhe nuk është çështje e vullnetit personal.

“Prioritet është gjithsesi zgjedhja e Qeverisë së re, me çka pret që presidenti i Republikës së Maqedonisë, z. Gjorgje Ivanov, ta respektojë Kushtetutën, pasi që bëhet fjalë për obligime institucionale, dhe nuk është çështje e vullnetit personal. Hapat e radhës në punën e Kuvendit të jenë në kontekst të formimit të komisioneve të Kuvendit, pasi që ajo është parakusht që të shpallen zgjedhjet lokale”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Kreu i kuvendit Talat Xhaferi, më pas takoi edhe gazetarët ku tha se presidenti i shtetit ka afat deri më 19 maj për të dhënë mandatin dhe të reflektojë brenda afatit të paraparë për obligimet e tij kushtetuese. Përndryshe tha Xhaferi, do të shohet me alternativën që ne si shumicë parlamentare, të zgjedhim qeverinë pa mandat, shkruan tv21.tv.

“Shumica parlamentare në mënyrë eksplicite ka të drejtë të zgjedhë qeverinë. Kushtetuta dhe Ligjet nuk përkufizojnë të drejtën e parlamentit përkatësisht shumicës të zgjedh qeverinë duke e ndërlidhur me faktin se është ndarë apo s’është ndarë mandati sepse kushtetuta e sanksionon si obligim dhe prandaj kushtetuta nuk ka paraparë varantin alternativ”, shtoi Xhaferi.

Edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev shpreson se deri në fund të muaji, vendi do të ketë qeveri të re. Për kushtet e zgjedhjeve lokale, Kryetari i ri i Kuvendit tha se ata do të mbahen, kur partitë politike do të arrijnë konsensus rreth datës. Xhaferi theksoi se palët duhet të respektojnë afatin ligjor prej 70 ditësh për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Kreu i kuvendit pritet që ditën e hënë të thërrasë koordinatorët e partive politike, për të vendosur se kur pritet të thirret seanca konstituive./21Media

Back to top button