Edhe sot mblidhet Kuvendi i Kosovës

Edhe sot do të mblidhet Kuvendi i Kosovës. Deputetët do të mblidhen sërish sot për të zhvilluar debatin parlamentar për pagat në sektorin publik.
Seanca plenare pritet të nisë në orën 14:00.
Në seancën e së hënës, në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar raportin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2020. Komisioni për Legjislacion dhe ai për Buxhet kanë rekomanduar mosmiratimin e këtij raporti, por që partitë opozitare e kanë kundërshtuar këtë gjë duke thënë se pozita po synon të arsyetojë shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së.
Ndërsa dje (e hënë) kuvendi me 68 vota “pro”, ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit.
Po ashtu, me unanimitet të plotë, të zgjedhurit e popullit miratuan Projektligjin për ratifikimin e amendamentit 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2016 ME Bashkimin Evropian dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Qeverinë e Zvicrës për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në Kosovë.
Deputetë kanë miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas aktit për ndihmë të jashtë të vitit 1961 dhe aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E edhe në seancën e djeshme temë debati ishte grupi i Kumanovës. Me këtë rast Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kërkesa për transferim të të burgosurve duhet të jetë individuale, por deri që deri tani s’ka pasur një të tillë, pari rasti ende është në Gjykatën Supreme në Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast, ka reaguar deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i cili ka kërkuar nga Kurti të tregojë çka kanë bërë të ky grup të mos cilësohet si terrorist, e për çka i pari i ekzekutivit të shtetit është kundërpërgjigjur duke thënë se këtë epitet të padrejtë e ka thënë kolegia e Berishës, duke aluduar në deputeten Blerta Deliun.
Kjo ka nxituar reagimin e kësaj të fundit duke e quajtur manipuluese deklaratën e kryeministrit.
Në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje edhe rreth çështjes së energjisë.
Për këtë temë ka pasur përplasje mes ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Murati i ka quajtur të pavërteta pretendimet e Haradinajt se refuzimi i dy projekteve energjetike, Contour Global dhe gazjesllësit e kanë lënë Kosovën pa zgjidhje për energjinë. Për çka ka thënë se dy projektet edhe po të ishin nënshkruar në krizën e tanishme do të ishin në procedurat fillestare dhe s’do të kishin asnjë rol.
Murati ka kërkuar nga Haradinaj që përmes kritikave të pavërteta mos t’i bëjë favore Contour Global-it në raport me arbitrazhin dhe padinë në arbitrazh.
Pjesë e debatit për krizën është bërë edhe kryeministri, i cili i është përgjigjur kritikave të deputetëve të Kuvendit rreth krizës energjetike, për çka ka thënë se janë duke punuar që të gjejnë zgjidhjen më të mirë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshëm, por edhe të zbusin krizën energjetike.
Ai ka deklaruar në foltoren e Kuvendit se po punojnë bashkë me ministrat e linjës, KEK, KOSTT dhe ZRRE, ku edhe ka potencuar se çështja e krizës energjetike është adresuar edhe në mbledhjen e fundi të Qeverisë.
Madje, Kurti ka thënë se çmimet e energjisë elektrike në bursë janë të shumëfishuara dhe nuk mund të ngelet as në Kosovë një situatë e favorshme.

Back to top button