Tri vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim ka miratuar tri ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet që janë miratuar ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk kanë marrë pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e kanë cilësuar si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.
Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar në vitin 2009. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s. Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Back to top button