Edhe sot po vazhdon kontrolli në Banjskë për mjete e armë të grupit terrorist

Policia e Kosovës edhe sot po vazhdon kontrollat e detajuara në malet e Banjskës së Zveçanit pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Zëvendësdrejtor i policisë në veri, Veton Elshani për portalin rtv21.tv tha se ekipet edhe sot janë në terren duke kryer kontrolla nëpër vende të ndryshme të Banjskës.
Ai shtoi se situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë.
Një javë më parë Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Basnjkë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Policia e Kosovës e mori nën kontroll manastirin më vonë atë ditë.
Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në dhe përreth Banjskës pas sulmit./21Media