Ekipi negociator sot në Bruksel
Hoxhaj: Limaj dhe Ahmeti takohen me këshilltarët e Mogherinit
Kryesuesit e ekipit negociator të dialogut me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti sot do të takohen me këshilltarët e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, deklaroi se temat për të cilat do të bisedohet nuk dihen dhe takimi sipas tij, ka karakter koordinues.
Ky do të jetë takimi i dytë i ekipit negociator në Bruksel.
Më 8 janar, në Bruksel është takuar ekipi negociator me shefen e Politikës së Jashtme, Frederica Mogherinin. Ekipi negociator i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, pas takimit me shefen për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini kanë deklaruar se është prezantuar delegacioni dhe janë paraqitur kërkesat e Kosovës. Në një prononcim për media, bashkë-kryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti, ka thënë se ata i bënë të qartë Mogherinit se cili është roli i këtij delegacioni dhe siç ka thënë ai, i ka shprehur gatishmërinë të diskutojmë temat e hapura me Serbinë.