Ekipi olimpik i xhudos mëson kundërshtarët në “Tokyo 2020”

Ekipi olimpik i xhudos ka mësuar kundërshtarët e tyre para ndeshjeve në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” që fillojnë këtë të shtune.
Në ekipin olimpik të xhudos, përfaqësuesit nga Kosova që kanë arritur normën olimpike dhe po synojnë medalje olimpike janë Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova.
Trajneri i ekipit olimpik të xhudos, Driton Kuka ka ndjekur në formën online shortin e mbajtur sot, për shkak të protokollit anti-Covid-19, dhe pret që garuesit e tij do të vazhdojnë tutje edhe pas raundit të parë.
“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, ka bërë të ditur Kuka.
Shortin e ekipit olimpik të xhudos nga Kosova e gjeni më poshtë.
1. Distria Krasniqi – raundin e parë pa luftë – raundin e dytë me fituesen e luftës mes Gabriela Chibana (Brazil)-Harriet Bonface (Malavi), kategoria -48 kilogramë, do të ndeshet më 24 korrik
2. Majlinda Kelmendi – raundin e parë do të takohet me Reka Pupp (Hungari), kategoria -52 kilogramë, do të ndeshet më 25 korrik
3. Nora Gjakova – raundin e parë pa luftë – raundin e dytë me fituesen e luftës mes Sabina Filzmoser (Austri)-Sanne Verhagen (Holandë), kategoria -57 kilogramë, do të ndeshet më 26 korrik.
4. Loriana Kuka – raundin e parë pa luftë – raundin e dytë me fituesen e luftës mes Marie Branser (Kongo) dhe Aleksandra Babintseva (Rusi), kategoria -78 kilogramë, do të ndeshet më 29 korrik
5. Akil Gjakova – raundin e parë do të takohet me Ahmed Ayash (Jemen) – raundin e dytë do të takohet me Nils Stump (Zvicër), kategoria -73 kilogramë, do të ndeshet më 26 korrik.

Back to top button