Eksperti i komunikacionit këshillon si të vozitet në kushtet e këqija atmosferike

Ditëve të fundit vendi ynë është përballur me mot jo stabil, me diell dhe vranësira të cilat janë shoqëruar me shkarkime elektrike, reshje shiu, e në disa zona ka pasur stuhi dhe breshër.
Mot i tillë sipas, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) pritet të mbajë edhe ditët në vijim.
Ky mot padyshim se paraqet problem për pjesëmarrësit në trafik.
Për portalin rtv21.tv Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit ka thënë se pjesëmarrësit në komunikacion gjatë kushteve të këqija atmosferike duhet t’i ndjekin disa rregulla.
Sipas tij, drejtuesit e automjeteve duhet të kenë kujdes me shpejtësi varësisht prej kushteve rrugore të krijuara në veçanti të ketë kujdes gjatë ngadalësimit të automjetit që duhet të përdoret freni motorik apo frenimi i lirë në mënyrë që mos të humb kontrollin mbi automjetin.
“Vetë kushtet e vështirësuara të rrugës për shkak të kushteve atmosferike siç është shiu mjegulla bora akulli akulli i zi, zalli në rrugë dushku në rrugë, vaj në rrugë etj. Është një sinjal që drejtuesit e automjeteve duhet të kenë kujdes të shtuar gjate drejtimit të automjetit”, ka thënë ndër tjera Dedaj.
Në Kosovë brenda dy ditëve, kanë ndodhur dy aksidente me fatalitet. Një person i moshës 23 vjeçare ka humbur jetën në Qyshk të Pejës të hënën, kurse një 76 vjeçar ka vdekur dje pasi është goditur nga vetura në Gjilan.
Kurse, si pasojë e motit të lig dy persona kanë vdekur të hënën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Rrëzimi i një lisi në rrugën “Vaso Pasha” në Prishtinë ia mori jetën një 30-vjeçari nga Podujeva, ndërsa la me lëndime serioze një 30-vjeçare.
Moti i lig u bë shkaktar edhe për një vdekje tjetër në Kosovë. Në fshatin Zatriq në Rahovec dy persona u goditën nga rrufeja të hënën, njëri nga ta vdiq, ndërsa tjetri është duke u trajtuar në QKUK.
Gjithashtu, edhe një 55-vjeçar nga fshati Petrovë i Prizrenit, ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë, pasi është goditur nga rrufeja pasditen e së enjtes./21Media

Back to top button