“Elegji për bashkëshorten” e Shaqës bëhet kryefjalë në rrjet, ai dhe Moni rrëfejnë ‘sekretet’ e ripërpunimit

Këngëtari i njohur Shaqir Cërvadiku, në vitin 2011, tetë muaj pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij, kishte publikuar një këngë dedikim për të.
“Elegji për bashkëshorten”, 14 vjet pas publikimit, është bërë virale në rrjetet sociale. Kënga është paralajmëruar të publikohet si ripërpunim nga një këngëtar i ri, Moni.
Por, si e priti dhe si rrodhi e gjithë ngjarja, këngëtari Shaqir Cërvadiku rrëfeu për portalin rtv21.tv.
Ai tha se krejt rastësisht kishte kuptuar se kënga ishte bërë virale në TikTok.
“Këngën ‘Elegji për bashkëshorten’ e kam kënduar në vitin 2011 dhe atë vetëm njëherë në emisionin Odeon. Këto ditë, rastësisht, ma dërgoi një familjar (Fatlumi) storjen e këngës, dhe unë u habita pasi s’kishte folur askush me mua. I thashë Fatlumit: ‘Shkruaj me atë djalin (Monin) dhe thuaj le të më kontaktojë.’ Pastaj ai më shkroi dhe më thirri. I thashë se, së pari, është dashur të më pyesin për autorësinë e këngës, sepse kjo këngë është temë personale. Ai më tha që s’ka mundur të më kontaktojë se është munduar. Atëherë i thashë: ‘Po ta lejoj me kusht që të marrësh refrenin origjinal të këngës dhe jo kështu si e kanë kompjuterizuar.'”, tregoi Shaqir Cërvadiku.
Ai shtoi se këmbëngulte që kënga të qëndronte në versionin origjinal, por pas konsultimeve të gjata vendosën që të lansohet në versionin e ndryshuar.
“Unë isha kategorik mos të ndryshohej nga origjinali. Dy ditë kemi diskutuar me këngëtarin Monin dhe producentin, por meqenëse nuk lidhej në aspektin muzikor dhe me atë që kishin punuar e menduar, pas shumë lutjeve ja u lejova të mbetet në versionin që e kishin menduar dhe realizuar ata, pasi publiku e kishte pranuar dhe kishte bërë një shpërthim në TikTok.”, tha Cërvadiku.
Derisa këngëtari, i cili është në skenë me dekada, i këndoi luftës, lirisë dhe dashurisë, Shaqir Cërvadiku tregoi anën e tij humane në përkrahjen e artistëve të rinj.
“Arsyeja kryesore që e lejova është ana njerëzore e humane, dhe doja t’i ndihmoja këtij këngëtari të ri (edhe pse nuk e njoh), por e di çfarë është të përkrahësh dikë në hapat e parë të karrierës në realizimin e ëndrrave jetësore.”, tha Cërvadiku për portalin rtv21.tv.
Në anën tjetër, edhe këngëtari i ri Moni, i cili ka bërë ripërpunimin e këngës, në një prononcim për portalin rtv21.tv, tregoi se si lindi ideja e këtij projekti.
“Ky projekt lindi nga admirimi im për muzikën shqipe dhe dëshira për ta sjellë një klasik në një frymë të re, më afër publikut të sotëm. Kënga origjinale e Shaqir Cërvadikut ka një ndjesi të thellë dhe personale, ndaj më është dukur e rëndësishme ta trajtoj me respekt.”, tha ai.
Moni po ashtu rrëfeu edhe për konsultat që kishte me Shaqir Cërvadikun lidhur me ripërpunimin e këngës.
“Baci Shaqë e ka një lidhje të veçantë me këtë këngë, pasi është një krijim me shumë ndjenjë dhe histori personale. Fillimisht, natyrshëm, kishte një rezervë për ta ndryshuar nga versioni origjinal, sepse ai e shihte si diçka që duhej të ruhej në formën e saj klasike. Megjithatë, kur e pa vizionin tim dhe mënyrën se si e kam trajtuar me respekt, e priti me mirëkuptim. Më e rëndësishmja për mua ishte të sigurohesha që ripërpunimi ta mbante shpirtin e këngës gjallë, duke i dhënë një frymë të re, por pa humbur emocionin që ka pasur gjithmonë. Në fund, besoj që muzika e mirë gjen gjithmonë rrugën e saj për të prekur zemrat e njerëzve.”, tha ai për portalin rtv21.tv.
Më tej ai shtoi se nuk e priste që kënga do të bëhej virale.
“Sa i përket suksesit në TikTok, nuk e prisja që të bëhej virale në këtë nivel, por jam i lumtur që njerëzit po e ndiejnë këngën dhe po e përhapin me kaq dashuri.”, u shpreh ai.
Ky ripërpunim do të publikohet i plotë të enjten në ora 20:00 me titullin “Sytë e tu”./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?