Emërohet u.d i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së

Bordi i RTK-së ka njoftuar se në mbledhjen e sotme ka emëruar Hysen Hundozin në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të mediumit publik.

“Bordi i RTK-së emëroi ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Hysen Hundozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, thuhet në komunikatën për media.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se ky vendim erdhi pas bllokimit të ekzekutimit financiar dhe menaxherial në RTK.

“Bordi i RTK-së ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme me pikën kryesore të rendit të ditës ‘Diskutimi mbi bllokimin e ekzekutimit financiar dhe menaxherial në RTK’ ku zyrtari kryesor financiar ka njoftuar Bordin për bllokimin e ekzekutimit të të gjitha pagesave si rezultat i mungesës së udhëheqësit menaxherial, në këtë rast Drejtorit të Përgjithshëm apo në mungesë të tij, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm i RTK-së. Këto bllokime financiare dhe menaxheriale ndikojnë gjithashtu edhe në procesin e prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve programore”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, sipas njoftimit të Bordit, duke iu referuar kësaj situate të bllokuar financiare dhe menaxheriale, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë (6) anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve, Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash.

Back to top button