Enis Bardhi arrin në Turqi

Ylli i futbollit nga Shkupi, Enis Bardhi sot ka mbërritur në Turqi, pas transferimit të tij në klubin Trabzonspor, përcjell TV21.
Bardhi në prononcimin e tij për media tha se kanë mbetur disa punë teknike për, pas çka pret të njoftojë ekipin dhe trajnerin.
“Jam shumi i kënaqur, shumë i lumtur që jam këtu. Kemi pak punë për të bërë, për gjërat që duhet t’i bëjmë. Po pres që të takoj bashkë-lojtarët, trajnerin dhe të gjithë që janë këtu”, deklaroi Bardhi.
I pyetur se si ndihet që do të luaj për ekipin kampion në Turqi, Bardhi tha se është shumë i motivuar dhe se tash e ca kohë ka dashur të jetë pjesë e këtij grupi.
“Jam shumë i motivuar. Është një mundësi që me të vërtet e kam pritur shumë kohë. Është një motiv i madh për mua. Kuptohet, është një ekip kampion dhe kam dashur që të jem pjesë e këtij grupi”, tha Bardhi.
Transferi i Bardhit në klubi turk vjen nga ekipi spanjoll i Levantes. Sipas mediave turke, Trabzonspor do t’i paguajë rreth 10 milionë euro Levantes për transferin e shkupjanit. Nga shuma në fjalë, më tepër se dy milionë euro do të jenë për pagën e Bardhit ndërsa pjesën tjetër do ta merr Levante përmes dëmshpërblimeve dhe bonuseve./21Media

Back to top button