Enrique dhe Sarabia vlerësojnë lartë lojën që e aplikon Kosova

Kombëtarja e Spanjës ka arritur në Kosovë aty ku nesër do ta zhvillojnë ndeshjen e radhës kundër “Dardanëve” në kuadër të Grupit B të fazës së kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique që në hyrje të konferencës shpalosi përshtypjen shumë të mirë që ka marr nga vizita e tij në Kosovë edhe paraprakisht mediat spanjolle kishin raportuar se ata mund t’i presë një ambient armiqësor në Kosovë.
Gjithsesi, Enrique deklaroi se Kosova është një vend që u ka ofruar atmosferë shumë pozitive.
Enrique: Jemi këtu për futboll, jo për politikë
“Dua të them që atmosfera këtu është shumë e këndshme, njerëzit janë shumë të lezetshëm. Ne kemi ardhur këtu që të luajmë futboll dhe jo të bisedojmë për politikë.”, tha Enrique.
Trajneri i Spanjës e cilësoi Kosovën si një skuadër me futboll shumë cilësor, i ndërtuar mirë dhe që dinë të luajnë si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse.
“Mendoj që janë ekip shumë i rrezikshëm, mirë i ndërtuar. Mendoj që janë për dallim nga ekipet e tjera të grupit dhe të rajonit janë një ekip sulmues, është një ekip që mund të sulmojë dhe të mbrohet njëkohësisht kështu që ne do të tentojmë që të luajmë sa më mirë.”, theksoi trajneri i Spanjës.
Ndërsa, sulmuesi i Spanjës, Paolo Sarabia tha para mediave se pret që Kosova të luajë në mbrojtje më shumë, ndërkohë që u shpreh se si sulmues do të provojë të shënojë gol në “Fadil Vokrri”
Sarabia: Presim që Kosova të luajë në mbrojtje
“Presim që të kemi një lojë ku ekipi lokal do të qëndrojë më shumë prapa. Ne do të tentojmë që të depërtojmë çoftë nga pjesa qëndrore apo nga krahët dhe në këtë mënyrë të arrijmë të shënojmë apo të marrim fitore…Jemi këtu që të luajmë lojën tonë, do të japim maksimumin, t’i kontribuojmë ekipit tonë. Natyrisht si sulmues ky është edhe roli ynë apo funksioni që e kemi”, tha Sarabia.
Kosova dhe Spanja përballen në “Fadil Vokrri” nesër me fillim nga ora 20:45.

Back to top button